Rusia, si pjesëmarrëse aktive e “Kuartetit” të ndërmjetësve ndërkombëtarë për rregullimin e problemeve të Lindjes së Mesme, do të mbajë pjesën e vet të përgjegjësisë për procesin e paqes në rajon. Për këtë deklaroi Kryetari i Komitetit për çështjet ndërkombëtare të Këshillit të Federatës Mihaill Margellov në takimin me Kreun e Komitetit të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes të Knesset-it izraelit Shaul Mofaz në Moskë. Pas nënshkrimit të marrëveshjes pajtuese, lëvizjet "Fatah" dhe "Hamas" mund të lëvizin nga pika e vdekur procesin e zgjidhjes së konfliktit arabo-izraelit. Por gjithçka do të varet nga ajo se ç’forca do të fitojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Palestinë, mendojnë në parlamentin rus.

Pajtimi në mes të grupimit radikal "Hamas" dhe lëvizjes së moderuar palestineze "Fatah" mund ti japë një impuls të ri procesit të rregullimit të konfliktit kohëgjatë në Lindjen e Mesme, tha Mihaill Margellov. “- Palestinezët kanë bërë një hap të madh përpara duke arritur në marrëveshje për krijimin e unitetit në radhët e veta. Kjo është pikërisht ajo gjë për të cilën u pat bërë thirrje atyre Rusia si anëtare e “Kuartetit” të ndërmjetësve ndërkombëtarë për rregullimin e problemeve të Lindjes së Mesme, në të cilin hyjnë Rusia, SHBA, BE dhe OKB-ja, që në fillim të konfrontimit të ashpër midis "Hamas" dhe "Fatah". Unë shpresoj shumë që kjo marrëveshje të mos jetë, thjesht, manovër taktike, por një zgjedhje, alternativë serioze strategjike e politikanëve palestinezë”, - tha Mihaill Margellov.

Problemi kryesor konsiston në atë - nëse është vallë i gatshëm "Hamas" të pranojë pozitën e “Kuartetit”, thotë Kryetari i Komitetit të Knesset-it të Izraelit Shaul Mofaz: “- Në faktin e krijimit të qeverisë së përbashkët nga "Hamas" dhe "Fatah" ka edhe mundësi të caktuara, por edhe rrezik serioz. Pozita izraelite konsiston në atë, se çdo qeveri duhet të veprojë mbi bazë të plotësimit total të kushteve të “Kuartetit”: të heqë dorë nga ushtrimi i terrorit dhe të njohë shtetin e Izraelit. Ne shpresojmë shumë se pozita jonë do të mbështetet nga anëtarët e “Kuartetit”, - tha Shaul Mofaz.

Duam t’ju kujtojmë, se marrëveshja në fjalë u nënshkrua në fillim të majit. Më 14 maj palët do të nisen për në Kajro për zhvillimin e negociatave në lidhje me krijimin e koalicionit qeveritar. Ai do të merret me përgatitjen e zgjedhjeve presidenciale, parlamentare dhe atyre për në Këshillin kombëtar. Qëllim kryesor është shpallja në vjeshtë të këtij viti e Shtetit të Pavarur Palestinez në kufijtë ekzistues të vitit 1967 dhe marrja e njohjes ndërkombëtare nga ai, përfshirë edhe OKB-në.

0Sipas mendimit të ekspertëve, vendosja e paqes në Lindjen e Mesme do të varet, para së gjithash, nga ajo nëse do të mund të heqin dorë përfaqësuesit e "Hamas-it" nga pikëpamjet radikale në rrugën drejt arritjes së qëllimeve të shtruara.