Rusia kremton sot Ditën e Fitores në luftën e viteve 1941-1945 kundër Gjermanisë fashiste. Gjatë ballafaqimit të armatosur më të madh në historinë e njerëzimit trupat sovjetike shpartalluan mbi 600 divizione të Gjermanisë fashiste dhe aleatëve të saj. Trupat sovjetike me beteja fitimtare përshkuan rrugën nga Stalingradi deri në Berlin dhe çliruan nga okupatorët fashistë gjysmën e Evropës. Akti mbi Kapitullimin pa kushte të Gjermanisë naziste u nënshkrua në datën 8 maj të vitit 1945 më 22.43 sipas orës qendrore evropiane (sipas orës së Moskës 9 maj më 00.43). Prandaj dita e përfundimit të luftës në Evropë kremtohet më 8 maj. Në Rusi Dita e Fitores festohet me parada ushtarake dhe fishekzjarre festive, organizohen takime të veteranëve dhe zhvillohen aktivitete të larmishme. Parada kryesore për nder të 66-vjetorit të Fitores së Madhe u zhvillua në Sheshin e Kuq të Moskës. Në të morrën pjesë një numër i paprecedentshëm ushtarakësh - pothuajse 20 mijë veta. Ndër ta ishin regjimentet e bashkuara të Trupave tokësore, Trupat Ushtarako-Ajrore, Forcat e Flotës Ushtarako-Detare, Forcat Raketore të Destinacionit Strategjik, Trupat Kozmike, Forcat e Desantit Ajror si dhe trupat mbrojtëse nga lëndët kimike, biologjike e rrezatimi radioaktiv si dhe trupat inxhinierike. Në Paradë morrën pjesë 106 njësi teknike ushtarake. Mjaft impresionuese e bëri ceremoninë solemne në Sheshin e Kuq fluturimi i 5 helikopterëve transportues ushtarakë Mi-8, të cilët valëvitën në ajër Flamurin e Federatës Ruse, të Forcave të Armatosura dhe llojeve të Forcave ushtarake të Federatës Ruse: Trupave Tokësore, Forcave Ushtarako-Ajrore dhe Flotës Ushtarako-Detare të Rusisë.