0Çështjen që ka të bëjë me domosdoshmërinë e dhënies së garancive politike në lidhje me mosdrejtimin e mbrojtjes evropiane antiraket (MAR) kundër interesave kombëtare ruse presidentët e Rusisë dhe SHBA do ta diskutojnë në takimin e “G-8” në Deauville të Francës më 26-27 maj. Për këtë njoftoi Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë pranë NATO-s Dimitri Rogozin. Deri tani fjalët e SHBA dhe NATO-s nuk përkojnë aspak me veprat. Në takimin në Moskë në vitin 2009 Dimitri Medvediev dhe Barack Obama ranë dakort që Uashingtoni të marrë në konsideratë interesat ruse gjatë dislokimit të sistemit të mbrojtjes amerikane antiraket në Evropë. Në samitin e Këshillit Rusi-NATO në vitin 2010 në Lisbonë u deklarua, se Moska dhe Brukseli do të krijojnë bashkarisht sistemin evropian të sigurisë. Por hapat e fundit të SHBA, në veçanti, vendimi për dislokimin e raketave interceptore në Rumani, nuk pajtohen kurrsesi me këto marrëveshje. Ndërsa duke gjykuar nga kontaktet e SHBA dhe NATO-s me partnerët, elementët e mbrojtjes antiraket do të duken më pas në Poloni, në Turqi. Rusisë, me qëllim që puna për krijimin e mbrojtjes antiraket (MAR) të vazhdojë, i duhen medoemos garancitë e mosdrejtimit të MAR kundër interesave të saj kombëtare. Pa dyshim që Barack Obama nuk do ta ketë aspak të lehtë të japë premtime të tilla, veçanërisht në dritën e zgjedhjeve të pritshme presidenciale të vitit të ardhshëm. Në fund të vitit të kaluar, kur Senati amerikan miratoi me shumë vështirësi Traktatin №3 ruso-amerikan mbi shkurtimin e Armatimeve Strategjike Ofensive (ASO), udhëheqësit amerikan iu desh të premtojë se marrëveshjet e arritura me Moskën nuk do të ndikojnë në vendimin e SHBA në sferën e krijimit të sistemit global të sigurisë. Por të pritet pjesëmarrja e Rusisë në negociatat apriori të papranueshme për të është një gjë aspak serioze. Ambasadorët e vendeve të NATO-s tashmë janë njohur me pozitën e Moskës, tha Dimitri Rogozin: “- Unë ua paraqita për shqyrtim dokumentin ambasadorëve. Në të përmbahen parimet politike të bashkëpunimit në sferën e krijimit të mbrojtjes antiraket në Evropë. Ne insistojmë që të diskutohet fillimisht arkitektura e sistemit të ardhshëm të MAR. Sepse para se të ndërtohet shtëpia duhet miratuar fillimisht plani arkitekturor i saj dhe jo të ngrihet e para çatia dhe pastaj të hidhet nën të themeli i godinës. Ndërsa në këtë rast del pikërisht kështu”, - u shpreh Dimitri Rogozin. Negociatat e mëtejshme mbi ndërtimin e përbashkët të MAR pa shfaqje mirëkuptimi dhe pa një pozitë të qartë të krerëve të palëve nuk kanë kurrfarë kuptimi, mendon Dimitri Rogozin. Në takimin në Deauville të Francës Moska është e gatshme të ofrojë jo vetëm propozimet e veta, por dhe të dëgjojë ato të palës tjetër.  Se me ç’parapërgatitje të brendshme për punë do të vijë atje Uashingtoni është vështirë të thuhet. Por një gjë është mëse e qartë, dhe pikërisht, se në qoftë se palët do të arrijnë në kompromis, atëhere në mbledhjen e Këshillit Rusi-NATO në nivel të ministrave të mbrojtjes më 9 qershor mund të pritet një dialog konstruktiv. Përndryshe, historia do të zvarriset për një kohë mjaft të gjatë.