0Në mjetet ruse të informimit masiv u dukën detaje të reja të hetimit të vdekjes së avokatit të Fondit Hermitage Capital Sergei Magnitski. Me referim tek fjalët e disa anëtarëve të Grupit të Punës të Këshillit pranë presidentit të Rusisë për zhvillimin e shoqërisë civile njoftohet, në veçanti, se për vdekjen e Magnitskit do të ngarkohen me përgjegjësi hetuesi dhe mjekja e spitalit të burgut të qendrës së parabugimit. Në të njëjtën kohë theksohet se rezultatet zyrtare të hetimit do të jenë gati vetëm në qershor. Verifikimi i rrethanave të vdekjes së Magnitskit po zhvillohet me urdhër të Presidentit Dimitri Medvediev, meqenëse pas vdekjes në qelinë e paraburgimit të Partnerit drejtues të kompanisë “Firestone Duncan” në nëntor të vitit 2009, çështja e tij bëri jehonë të madhe publike. Sergei Magnitski u akuzua për përfshirje në skemën e organizimit të evazionit të taksave me shumë pothuajse 20 milionë dollarë. Drejtuesit e Fondit Hermitage Capital, auditimin e të cilit e kryente Magnitski, menjëherë pas arrestimit të tij e braktisën Rusinë dhe u shpallën në kërkim nga policia. Mendimi ekspert i anëtarëve të Grupit të Punës të Këshillit presidencial u bazua në hetimin e pavarur që u zhvillua menjëherë pas vdekjes së Magnitskit nga Komisioni i Mbikëqyrësve Publikë të Moskës. Ja se ç’tregon për “Zërin e Rusisë” Kryetari i tij dhe anëtari i Grupit të Punës të Këshillit Valeri Borshev: “- Çfarë momentesh duhet të theksohen. Së pari, kushtet e paraburgimit të Magnitskit ishin të papërshtatshme, torturuese, duhet thënë. Edhe Shërbimi Federal i Burgjeve (Federal Penitentiary Service) pranoi se qelitë, në të cilat është mbajtur në paraburgim Magnitski, ishin krejtësisht të papërshtatshme për ngujimin e personave të marrë nën arrest. Aktualisht ato po rikonstruktohen dhe po përshtaten për izolimin vetëm të një personi. Më parë në këto qeli mbaheshin nga 3-4 veta. Së dyti, hetuesi i Magnitskit ndaloi ndërmarrjen e gjithfarë ndërhyrjeve të nevojshme mjekësore. Në qoftë se do ti ishte dhënë në kohë ndihma mjekësore, Magnitski do të kishte mbetur gjallë. Ne mendojmë se faji kryesor bie mbi hetuesin dhe mjeken Gauss, e cila komunikoi me Sergei Magnitskin vetëm 1 orë para vdekjes së tij”, - tha Valeri Borshev. Grupi i Punës po vazhdon hetimin. Sipas fjalëve të anëtares së Këshillit presidencial Tatiana Morshakova, në një kohë të afërt në Prokurori do të dorëzohet varianti i plotë i raportit të hetimit. Ekspertët, deklaron Morshakova, zbuluan vërtet gjatë punës hetimore fakte të rëndësishme për fillimin e procedurave penale ndaj atyre personave, veprimet e të cilëve çuan në vdekjen e avokatit Sergei Magnitski.