013 qytete ruse pretendojnë të zhvillojnë në stadiumet e veta lojrat e Kampionatit Botëror të Futbollit të vitit 2018. Duke filluar që nga ai më perëndimor - Kaliningradi e deri tek Ekaterinburgu në Ural. “Ne i kemi analizuar në mënyrë të detajuar mundësitë reale të të gjitha qyteteve që janë përfshirë në listë, kurse vendimi përfundimtar do të merret megjithatë më vonë dhe ai nuk do të varet vetëm nga ne, por edhe nga FIFA”, - deklaroi Zëvendës kryeministri i parë rus Igor Shuvallov pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës për zhvillimin e Kampionatit Botëror të Futbollit. Futbolli në Rusi është një nga sportet më me popullaritet si përkatësisht njerëzve që luajnë, ashtu dhe numri i tifozëve. Prandaj nuk të habit aspak fakti që kaq shumë qytete dëshirojnë të pranojnë në stadiumet e veta ndeshjet e Kampionatit. Dhe dëshira shoqërohet me veprime konkrete. Në qytetet pretenduese tashmë po përshtasin me normat ndërkombëtare objektet sportive, të cilat pas 7 vjetësh mund të bëhen arena të betejave të futbollit. Kështu që qeverisë ruse dhe FIFA-s do tu duhet të bëjnë një zgjedhje serioze dhe aspak të lehtë. “Problemi i përcaktimit të qyteteve është tejet i vështirë, sepse të gjithë duan të bëhen “zotër shtëpie” të Kampionatit”, - thotë Igor Shuvallov. “- Do të na duhet të përcaktojmë se me cilët qytete do të punojmë dhe cilët nga ata do të dalin, si i thonë fjalës, “jashtë loje”. Është krejtësisht e pakuptimtë të mbajmë me premtime apo të ushqejmë me shpresa të kota një numër të madh qytetesh. Dhe në qoftë se mendohet se nuk duhet të jenë 13 qytete, por një numër tjetër, atëhere është më mirë që një vendim i tillë të merret sa më shpejt që të jetë e mundur”, - tha Zëvendës kryeministri i parë rus. “Gjithçka e kanë në dorë vetë këto qytete”, - saktëson Ministri rus i Sportit Vitali Mutko. Të gjithë 13 qytetet i plotësojnë kërkesat e FIFA-s: ata kanë logjistikë të mirë, pozitë të përshtatshme gjeorgrafike. Por të gjithë ata, me përjashtim të Moskës, Shën Petersburgut dhe Kazanit, duhet të kujdesen për rritjen e statusit të stadiumeve të veta si dhe të përcaktojnë vendet ku mund të ndërtohen komplekse të reja sportive. E megjithatë, tha Vitali Mutko, “çdo qytet ka mundësi të arrijë deri në finish, por është e domosdoshme që vetë qyteti të demonstrojë entuziazëm në zbatimin e atyre angazhimeve që merr mbi vete”.