Në vigjilje të fluturimit të vet për në Düsseldorf, për pjesëmarrje në konkursin muzikor "Eurovizion-2011", përfaqësuesi i Rusisë Aleksei Vorobiov u takua me gazetarët moskovitë. Bjondi fort i pashëm 22 vjeçar, i cili për debutimin jashtë shtetit ka marrë pseudonimin Alex Sparrow dhe që do të interpretojë në konkurs këngën “Get you”, të shkruar prej kompozitorit dhe producentit RedOne, është i mbushur plot vendosmëri për të hyrë në një rivalitet mjaft serioz me kolegët e vet evropianë. “- Unë mendoj se nuk ka asgjë të pamundur, - i siguroi gazetarët Aleksei. - Sepse, mos harroni, se unë jam megjithatë ish futbollist. Bile edhe në qoftë se ti del në fushë për të luajtur me skuadrën që është apriori më e fortë se e jotja, nuk duhet ti humbasësh shpresat kurrë. Përkundrazi, kjo duhet të të imponojë të luftosh më me vetëmohim dhe nga kjo gjë loja bëhet më interesante. Këtë vit pjesëmarrësit e "Eurovizion” do të jenë këngëtarë shumë të fortë. Kurrë ndonjëherë më parë, për gjithë historikun e ekzistencës së këtij konkursi, midis pjesëmarësve të tij nuk ka patur menjëherë dy fitues të viteve të kaluara. Plus kësaj nga të gjitha vendet do të vijnë në "Eurovizion” artistë shumë të mirë. Mua ky fakt më pëlqen. Dhe unë duhet të debutoj në mënyrë të tillë, që askujt në vendin tim të mos i skuqet faqja për njeriun që deleguan në këtë konkurs muzikor. Përpara meje qëndron detyra aspak e lehtë që jo vetëm të përfaqësoj vendin në "Eurovizion-2011”, por dhe të promovoj projektin e ri të RedOne. Kurse për mua kjo është shkallëza e parë në Evropë, starti im si Alex Sparrow”, - tha përfaqësuesi i Rusisë në "Eurovizion” Aleksei Vorobiov. Në Rusi Aleksei Vorobiov ka fituar popullaritet të madh jo dhe aq si këngëtar, se sa si aktor - ai ka luajtur 15 role kryesore në filma të ndryshëm artistikë - dhe si pjesëmarrës i reality show-ve televizivë me mjaft popullaritet. Përveç RedOne për tu përgatitur për pjesëmarrje në konkursin muzikor ndërkombëtar Aleksei Vorobiovin e ndihmoi edhe një ekip nga Suedia. Ai ngjalli një besim kaq të madh tek përfaqësuesit e Kanalit të Parë televiziv rus - “transmetuesit” kombëtar të konkursit "Eurovizion-2011" -  saqë ata nuk zhvilluan këtë vit bile as dëgjimet kualifikuese, kujtoi Drejtori muzikor i Kanalit të Parë televiziv rus Yuri Aksyuta. “- Ne, sigurisht, që kishim edhe pretendentë të tjerë, përveç Aleksit. Por i dhamë preferencë atij për shumë arsye. Në radhë të parë, për vetë faktin se e vlerësojmë këngën e tij si shumë premtuese. Edhe vetë artisti i plotëson në mënyrë absolute të gjitha kriteret e pjesëmarrësit të konkursit "Eurovizion”... Jemi të bindur se Aleksei do të bëjë gjithçka të mundur me qëllim që ta përfaqësojë sa më denjësisht Rusinë në nivelin më të lartë të performancës” - u shpreh Yuri Aksyuta.

 Dëgjoni këngën e kompozitorit RedOne “Get you” në interpretimin e këngëtarit  Aleksei Vorobiov

Shkarko audiofailin