0Këshilli i Federatës i Rusisë miratoi ligjin “Mbi njësitë vullnetare zjarrfikëse”, i cili krijon bazën, kornizën ligjore për formimin e brigadave zjarrfikëse. Ato do të ndihmojnë për të luftuar me vatrat e zjarrit në fshatrat e vogla të largëta. Tema, se si të luftohen zjarret e tjera -  të pyjeve dhe torfeve - u diskutua në mbledhjen e zhvilluar me Presidentin rus Dimitri Medvediev. Pasi dëgjoi raportet kushtuar masave për likuidimin e zjarreve të provokuara nga forcat e natyrës, Dimitri Medvediev i paralajmëroi zyrtarët: se në qoftë se këto masa nuk do të ndihmojnë për zgjidhjen e problemit, atëhere ata do të nisen personalisht të shuajnë zjarret: “- Po i rikthehem temës së zjarreve të torfeve meqenëse mora informacionin se të gjitha procedurat, të cilat duhej të zhvilloheshin që në fillim të vitit, u bënë vetëm pak kohë më parë. Kolegë, prandaj po ju tërheq vemendjen që ta quani këtë tronditje (dush të ftohtë) si paralajmërimin e fundit në lidhje me këtë çështje. Jo vetëm që duhen përfunduar të gjitha procedurat e parashikuara, por dhe të fillohet puna reale. Në qoftë se nuk do t’ia dilni dot punës mbanë me kryerjen e kësaj detyre, atëhere të gjithë do të niseni për të shuar zjarret e torfeve. Konsiderojeni këtë si porosi jashtëzakonisht të rëndësishme para fillimit të verës”, - tha Dimitri Medvediev. Pas verës katastrofikisht të nxehtë dhe të thatë të vitit të kaluar, kur zjarret pyjore dhe të torfeve përfshinë dhjetra rajone ruse, tema e luftës kundër zjarreve në Federatën Ruse ka marrë përmasat aktuale. Ligji i miratuar mbi “Mbi njësitë vullnetare zjarrfikëse” hyn në listën e masave të domosdoshme. Ja si e vlerësoi atë Kryetari i Këshillit qendror mbarërus të Shoqërisë së zjarrfikësve vullnetarë Sergei Gruzd: “- Ne përshëndesim miratimin e ligjit federal “Mbi njësitë vullnetare zjarrfikëse”. Sipas vlerësimeve të specialistëve, më tepër se 30 mijë vendbanime rurale të Federatës Ruse nuk janë garantuar me shërbim të sigurt zjarrfikës. Prandaj dëmi nga zjarret në vendbanimet rurale dhe numri i viktimave të tyre është shumë i lartë atje. Për Rusinë është e domosdoshme të përgatisë dhe të pajisë me gjithçka të nevojshme më tepër se 800 mijë zjarrfikës vullnetarë. Ligji në fjalë parashikon masat për stimulimin e tyre social dhe ekonomik. Duhet bërë një punë jashtëzakonisht e madhe për trajnimin e tyre. Në këtë drejtim një rol të madh i takon të luajë Ministrisë së Situatave të Jashtëzakonshme të Rusisë dhe qendrave mësimore të saj. Detyra kryesore tani është që të bëhet gjithçka e mundur me qëllim të krijimit sa më të shpejtë të formacioneve të tilla, sepse pranvera tashmë erdhi, zjarret kanë filluar. Është tejet e rëndësishme gjithashtu të mobilizohet popullata, e cila të mund të merret edhe me parandalimin e profilaktikën, edhe me shuarjen e zjarreve.