Forcat e NATO-s ndërmorrën të hënën tentativën e ndërprerjes së lidhjes telekomunikative midis disa qyteteve libiane, që ndodhen nën kontrollin e Gaddafit, njoftoi sot televizioni shtetëror i Libisë. Sipas të dhënave të tij, fregatat e NATO-s hodhën bomba të thellësive të mëdha mbi kabllon me fibra optike, të shtrirë në gjatësi 15 milje detare nga bregu. Kjo linjë siguron lidhjen e telekomunikacionit të Sirte-s - vendlindjes së Gaddafit - me qytetin Ras Lanuf, ku ndodhet një nga uzinat më të mëdha të përpunimit të naftës, dhe Marsa el-Brega, ku janë përqendruar kapacitetet e prodhimit të gazit të lëngëzuar natyror. Kanali televiziv njofton, se pas sulmeve ajrore të forcave të NATO-s në veri të Libisë vërehen ndërprerje në telekomunikacion.