0Soçi - kryeqyteti i Lojrave të ardhshme Olimpike Dimërore të vitit 2014 - po përgatitet për hapjen e sezonit turistik. Po çfarë i pret këtë vit mysafirët në këtë pikë bregdetare pushimesh dhe nëse do të ndikojë vallë ndërtimi i objekteve olimpike në kushtet e pushimit të njerëzve? Për këtë i tregoi Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Kryebashkiaku i Soçit Anatoli Pahomov. Veçoritë unikale klimatike e bëjnë Soçin një nga destinacionet më tërheqëse të pushimeve në planet, shprehet me bindje të plotë Anatoli Pahomov: “- Në hartën e botës ky është një ndër vendet e pakta, në të cilin në distanca të tilla kaq të shkurtra kombinohen njëherazi disa zona klimatike - nga kreshtat malore të mbuluara me dëborë dhe lëndinat alpine me klimë të ftohtë tek zonat subtropikale me lagështirë e bregu i ngrohtë detar. Kur lahesh në maj në Detin e Zi mund të shikosh majat e mbuluara me dëborë të maleve dhe skiatorët që rrëshqasin në shpatet e tyre. Ky është një skaj i habitshëm, i mrekullueshëm i Rusisë, ku janë shkrirë në një të vetme faktorë të favorshëm natyrorë: deti i ngrohtë dhe 300 ditë me diell në vit, ajri i pastër malor dhe lagështira e këndshme e zonës subtropikale, burimet kurative nëntokësore, ujërat e pijshme minerale dhe argjila kuruese (llixha). Por në kushtet e pushimeve të mysafirëve ndërtimi i objekteve olimpike nuk do të ndikojë. Vizitorët dhe pushuesit e Soçit vërejnë me habi se, pavarësisht nga përmasat madhështore të ndërtimeve që po realizohen atje, qyteti është i pastër dhe i rregullt. Bile më tepër se kaq, territoret e plazheve janë milioruar: në to është vënë rregull, janë instaluar pajisje moderne. Gjithçka që të shikon syri në resortet më të mira të botës i gjen edhe në Soçi”, - tha Kryebashkiaku i qytetit Anatoli Pahomov. Kuadrot e vendit mbarërus të çlodhjes dhe kurimit janë aktualisht të ngushta për Soçin, - vazhdon ai. Me një logjistikë transporti të mirë qyteti ka perspektiva reale për tu shndërruar në një resort ndërkombëtar me aftësi të fuqishme konkurruese, shprehet me bindje Anatoli Pahomov. “- Të gjitha objektet që po ndërtohen për Lojrat Olimpike do ti japin mundësi Soçit të bëhet resort funksionues gjatë gjithë stinëve të vitit. Kësaj do ti shërbejnë edhe 4 pikat turistike të skive malore dhe logjistika e mrekullueshme e transportit. Ajo përfshin transferimin e udhëtarëve nga terminalet e aeroportit në stacionin kryesor hekurudhor. Investitorët kanë ndërtuar mijëra hotele. Zhvillimi i vrullshëm i qytetit flet mbi atë, se resorti ka një të ardhmen turistike ndërkombëtare 365 ditore në vit”, - shprehet Kryebashkiaku i Soçit. Vitin e kaluar në Soçi kaluan pushimet 3,8 milionë veta. Për llogari të hapjes së pikave turistike të skive malore këtë vit qyteti pret më tepër se 4 milionë mysafirë. Më shumë se një shekull më parë shkencëtari i autoritetshëm rus Fjodor Pasternackij pat parashikuar, se Soçi “do të konkurrojë me resortet më të mira të Europës Perëndimore”. Me sa duket nga të gjitha, ëndërra e njërit prej themeluesve të balneologjisë dhe spa-ve medicinale në Rusi po mishërohet në jetë.