Shkarko audiofailin
Motor kryesor i ekonomisë ruse në një perspektivë të afërt mund të bëhet bujqësia. Në një konkluzion të tillë arritën papritur specialistët e Shkollës së Lartë Ekonomike, të cilët me porosi të Qeverisë së Federatës Ruse po përpunojnë modelin e ri ekonomik të zhvillimit të vendit. Në Rusi janë përqendruar 10% e tokave të punueshme të botës dhe gjysma e gjithë tokave të zeza të planetit. Asaj i përkasin 25% e rezervave botërore të ujit të ëmbël, për shkak të mungesës së të cilit në disa vende aktualisht janë të detyruar të reduktojnë apo bile dhe të likuidojnë fare sipërfaqet e tokave bujqësore. Vendi prodhon pothuajse 10% të gjithë plehrave kimike. Arithmetika e thjeshtë të bind qartë në lidhje me atë, se Rusia është rezerva e madhe e fundit e zhvillimit të bujqësisë botërore. Sipas mendimit të specialistëve të Shkollës së Lartë Ekonomike të Rusisë, në qoftë se do të disponojnë teknikë të mirë bujqësore dhe farëra elitare fshatarët rusë mund të korrin një vëllim të tillë drithërash, i cili do të mjaftonte për eksportimin e 100 milionë tonëve në vit. Kjo në teori, ndërsa në praktikë e gjithë kjo nuk duket me ngjyra aq rozë. Vitin e kaluar, pra në 2010, vera anomalisht e nxehtë dhe e thatë dogji 17% të gjithë sipërfaqeve të mbjella, dhe, si rezultat, u mblodhën vetëm rreth 70 milionë tonë drith. Qeveria u detyrua të shpallë embargon ndaj eksportit të drithërave. Dhe është e parakohshme të flitet mbi atë, se si do të jenë të korrat e këtij viti, mendon Presidenti i Bashkimit të prodhuesve të drithërave të Rusisë Arkadi Zlloçevskij: “- Pranvera e vonuar nuk lejon tani zhvillimin në shkallë të gjerë të të gjitha punimeve bujqësore. Në shumë gjëra nga kjo do të varet edhe nga hapja e eksportit, domethënë heqja e embargos. Sipas pikëpamjes sonë, ne duhet të rikthehemi medoemos në tregun botëror. Dhe për këtë arsye kërkojmë anulimin e parakohshëm të embargos”, - tha Arkadi Zlloçevskij. Në Rusi është evidentuar rritja reale e prodhimit në segmente të veçanta të ekonomisë bujqësore. Për 5 vjet vëllimi i prodhimit të mishit të derrit u rrit 40%, i mishit të shpendëve deri në 75%. U ndërtuan 2.500 komplekse moderne fermash blegtorale të pajisura sipas fjalës së fundit të shkencës në mbarë vendin. Në vitet e mëparshme tek ne fiksohej importimi i 1 milion e 300 mijë tonë mishi shpendësh, ndërsa këtë vit kuota e importit është reduktuar deri në 350 mijë tonë, vuri në dukje Nën-Presidenti i Akademisë Bujqësore të Akademisë së Shkencave të Rusisë Vladimir Fisinin. Sipas konfirmimit të Ministrit të financave të Federatës Ruse Aleksei Kudrin, rritja e prodhimit bujqësor në vitin 2011 do të jetë një ndër ato rekord dhe do të përbëjë 10-11%. Prodhimi i drithërave do të përbëjë afërsisht 84-85 milionë tonë. Në qoftë se këto parashikime do të gjejnë mishërim në jetë, atëhere Rusia do të mund të kthehet e sigurt në tregun botëror të drithit.