Zëri i Rusisë Në shkurt të vitit 1896 Komisari i policisë së Nju Jorkut Theodore Roosevelt i shpalli luftë lëkurave të bananeve. Kjo kërkesë u diktua jo dhe aq nga synimi për ta bërë qytetin më të pastër, se sa nga shmangia e dëmtimit, traumatizmit në rrugët e tij. Pavarësisht nga rreziku kërcënues i gjobave, hedhja e lëkurave të bananeve në Nju Jork nuk rreshti. Ndërsa pas disa vitesh karriera e Theodore Roosevelt arriti apogjeun e vet - ai u bë Presidenti i 26-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Roosevelt ishte një njeri i gjithanshëm - politikan, ushtar, shkencëtar-natyralist.

Familja e Roosevelt-it ishte mjaft e pasur dhe kishte mundësi ti lejonte vetes çfarëdo lloj ushqimi që i donte shpirti. Por Theodore Roosevelt dhe anëtarët e familjes së tij i jepnin preferencë ushqimit të thjeshtë. Zakonisht Presidenti hante në mëngjes vezë të ziera me çyrekë të vegjël dhe kafe. Ngandonjëherë e diversifikonte mëngjesin e vet me një tas të madh me çorbë të gatuar me kokrra misri, kripë dhe gjalpë. Po këtë lloj çorbe ai e hante jo rrallëherë në drekë dhe në darkë - në këtë rast asaj i hidhnin përsipër salcë me mish. Presidenti kishte preferencat e tij gastronomike dhe kërkesat e veta ndaj ushqimit. Vezët që hante për mëngjes duhej të ishin të ziera fort, ndërsa çyrekët të pjekur medoemos në furrën e shtëpisë dhe të servirura me bollëk në tavolinë. Edhe kafe duhej të kishte në sasi të madhe gjatë mëngjesit. Duke qenë lakmues, qefli i madh ëmbëlsirash, Theodore Roosevelt hidhte në filxhanin e kafesë deri në 7 copa sheqer.

Në qoftë se Presidenti drekonte vetëm, atëhere në tavolinën e tij vendosej një tas me qumësht, ngandonjëherë me krekera (crackers) ose pa to. Tavolina e drekës ishte më tepër për të vendi i përshtatshëm për biseda, në të cilat ai luante rolin kryesor. Por kishte edhe raste kur Theodore Roosevelt hante një sasi jo të vogël ushqimi. Njëri nga personat që kujdesej për tryezën e Presidentit kujtonte: Unë kam qenë dëshmitar okular i asaj se si Roosevelt hëngri një pulë të tërë, piu 4 gota të mëdha me qumësht njëra pas tjetrës. Ndërkohë që pula dhe qumështi nuk ishin ushqimet e vetme të servirura në tavolinë”. Preferonte jashtë mase Teddy Roosevelt biftekët dhe guaskat e detit. Dreka e shtruar për nder të 42 vjetorit të ditëlindjes së Theodore Roosevelt-it më 29 tetor të vitit 1900 filloi pikërisht me servirjen e guaskave të detit në tavolinë. Më pas sollën supë me breshkë jeshile, proshutë të pjekur në brumë, karavidhe, fileto viçi me bizele të njoma dhe kërpudha të freskëta, shkurta të pjekura.

Darkën Presidenti zakonisht e hante së bashku e pjesëtarët e familjes. Në tryezë servirej çaj, bukë e freskët, mish i ftohtë, shpesh herë ai që mbetej nga dreka. Në qoftë se ishte sezoni përkatës në darkë hanin pjepër.

Varietetet ekzotike të çajit ishin kapitull i veçantë i interesit të Theodore Roosevelt-it. Në veçanti, ai shprehte admirim të madh për të ashtuquajturin “çaj i karvanit rus”, i cili ishte një përzierje e disa varieteteve të çajit kinez. Emrin e vet ky çaj e morri për nder të karvanëve që e sillnin çajin nga Kina nëpërmjet Rusisë në Evropë.

Ndaj pijeve alkoolike Presidenti nuk shfaqte ndonjë interes të veçantë. Në darkat joformale me shokët mund të servirej në tryezë vetëm verë. Ekzistojnë dëshmi se Roosevelti pinte uiski me një kupë të madhe ari, por, siç thonë, në të vërtetë kjo ishte një përzierje e verës së bardhë me ujë të gazuar (soda).