Zëri i Rusisë Lajmi mbi atë, se anija e parë kozmike me njeri në bord u kthye me sukses në Tokë, impresionoi mbarë botën. Radiostacionet e të gjitha vendeve ndërprenë programet e veta që të njoftonin këtë lajm fantastik. Juri Gagarini pas kësaj filloi marshimin e vet triumfal nëpër botë. Ndërsa e filloi ai atë prej Sheshit të Kuq, reportazhet nga i cili zhvilloheshin prej të gjitha agjencive botërore.

Kurse Gagarini ecte nëpër qilimin e kuq drejt Mauzoleut, ku atë e prisnin udhëheqësit e shtetit, dhe i pushtuar nga paniku mendonte për lidhësen e zgjidhur të këpucës - po sikur ta shkel atë dhe të rrëzohem në këtë moment? Por gjithçka shkoi mbarë e mirë. Dhe ja ai tashmë raporton mbi plotësimin e detyrës së vet: “Fluturimi i parë kozmik në botë u krye me anijen kozmike sovjetike “Sojuz” më 12 prill të vitit 1961. Të gjitha sistemet, pajisjet dhe aparaturat e anijes funksionuan në mënyrë të përpiktë, pa asnjë problem. Gjendja ime shëndetësore e shpirtërore gjatë kësaj ishte e shkëlqyer. Jam i gatshëm të plotësoj çdo detyrë të partisë sonë dhe qeverisë së vendit”.

Dhe pak më vonë, tashmë nga tribuna e Mauzoleut, ai shqiptoi fjalët vijuese: “Dua të falenderoj sinqerisht, nga thellësia e shpirtit të gjithë shkencëtarët, inxhinierët, teknikët, gjithë punëtorët sovjetikë që konstruktuan një anije të tillë, me të cilën mund të zbulohen me siguri misteret e hapësirës kozmike. Unë jam mëse i bindur, se të gjithë shokët e mi pilotë-kozmonautë janë gjithashtu të gatshëm në çdo kohë të kryejnë fluturime rreth planetit tonë”.

Ndoshta, Gagarinit i buzëqeshte fati më shpesh se të tjerëve. Lindi ai në qarkun e Smolenskut, nën Gzhatsk. Përjetoi pushtimin fashist të vendit, nuk arriti të përfundojë studimet dhe prandaj vazhdoi shkollën profesionale (teknikumin). Dhe këtu atë e thirri aviacioni. Me zor të madh kaloi komisionin mjekësor - për shkak të shtatit të shkurtër. Por ai gjithmonë në jetë përpiqej me këmbëngulje të madhe të arrinte qëllimin e vet dhe prandaj atë e vinin re përherë.  

Juri Gagarini u bë njeri i dashur, i adhuruar për gjithë botën sapo njerëzit mësuan mbi fluturimin kozmik dhe panë fotografinë e tij. Buzëqeshja e Gagarinit aty për aty u bë legjendare. Ai u dekorua me titujt Hero i Bashkimit Sovjetik, Hero i Punës i Çekosllovakisë, Bullgarisë, Vjetnamit. U bë Anëtar Nderi i Akademisë Ndërkombëtare të Astronautikës, Qytetar Nderi i shumë qyteteve të botës. Atë e dekoruan me medalje Ari në Austri, Itali, Suedi, Angli, Francë.

Gagarini u ngarkua me detyrën e drejtuesit të Qendrës së trajnimit të kozmonautëve. Do të dukej sikur pas gjithë arritjeve të veta ai kishte të drejtë të rilaksohej, të mos merrej me stërvitje e me përgatitjen për fluturime të reja. Por Gagarini bënte pjesë në atë kategori njerëzish që dinin të mbanin përgjegjësi jo vetëm për punën e vet, por edhe atë të vartësve. Po përgatitej projekti i stacionit të parë eksperimental kozmik dhe në një nga ekuipazhet e kozmonautëve hynte edhe Gagarini. Përgatitja për realizimin e fluturimit të ri në kozmos u bë për të detyrë kryesore.

Shumë drejtues të lartë shtetërorë patën paralajmëruar paraprakisht, se “është e palejushme të rrezikohet me jetën e Gagarinit”; ai nuk duhet të fluturojë më as në kozmos dhe as me aeroplanët gjuajtës. Gagarini u indinjua pa masë nga kjo. “Unë nuk dua të jem eksponat muzeu, - u thoshte ai shokëve të vet. - Kozmonauti duhet të fluturojë në kozmos dhe kjo është për të një gjë po aq e natyrshme si dhe frymëmarrja. A mund të ndalohet vallë të marrurit frymë?! Do të ndërmarr të gjitha përpjekjet që të kem mundësi të fluturoj”. Ai gjeti vdekjen më 27 mars të vitit 1968 gjatë kohës së një fluturimi provë (kolaudimi) me avion gjuajtës. Komisioni shtetëror që hetoi katastrofën nxorri konkluzionin si vijon: aeroplani MIG-15, i pilotuar nga Gagarini dhe Severgini, në kohën e fluturimit të kalaudimit, gjatë uljes, hyri në pikiatë spirale nga e cila nuk mundi të dalë dot dhe u përplas me tokën.