Perandori rus Nikollai I vlerësohet në mënyra diverse nga historianët. Disa vërejnë në figurën e tij reaksionarin, të tjerë - fisnikun mbretëror. Periudha e drejtimit të tij filloi me shtypjen e kryengritjes së dhjetorit (të dekabristëve) dhe përfundoi me humbjen e Rusisë në luftën e Krimesë.

Pallati perandorak rus gjatë sundimit të Nikollai I mund të cilësohet, ndoshta, si më i shkëlqyeri, më madhështori në Evropë. Por në jetën e përditshme Nikollai I, po ashtu si dhe babai i tij Pavli I dhe vëllai Aleksandri I, shquhej për natyrën e vet të matur, të përkorë në gjithçka, bile edhe në të ngrënë, në veçanti. Nikollai ngrihej herët në mëngje me të zbardhur dita, punonte deri natën vonë, flinte në shtrat të fortë, hante pak. Ndoshta, pikërisht falë kësaj mënyre të përmbajtur jetese ai dallohej për shëndet të fortë.

Drekat perandorake në pallatin mbretëror nuk shquheshin për salltanet, luks të tepërt.

Praktikisht të gjithë autorët e kujtimeve mbi sundimtarin autokratik konfirmojnë, se ai ishte njeri jashtëzakonisht i përmbajtur në të ngrënë dhe preferonte gatimet e thjeshta të kuzhinës ruse: qofte të shoqëruara me pure patatesh, shi (një lloj supe ruse me lakër arme), çorbat e ndryshme.

Në Gatçinë (periferitë e Shën Peterburgut) familja perandorake drekonte gjithmonë në një tavolinë të gjatë. Vetë Perandori Nikollai ulej në mes të saj, kurse peranddoresha përballë tij. Në në dyja anët e tyre uleshin kniazët (fisnikët e lartë dhe aristokratet ruse) si dhe mysafirët e ftuar.

Në tavolinë Perandori fliste me njerëzit e shtëpisë rusisht, por kur i drejtohej Perandoreshës kalonte në frëngjisht. Gjatë drekës shërbenin në tavolinë shërbëtorët më të përzgjedhur të oborrit. Përpara anëtarëve të familjes perandorake shtroheshin gjithmonë pjata prej floriri, të cilat nuk ndërroheshin gjatë gjithë kohës së drekës. Çdo herë, kur servirej gatimi i radhës, shërbëtori i oborrit duhej të vinte me shumë kujdes e shkathtësi, pa zhurmë fare, mbi të pjatën tjetër prej porcelani.

Perandori Nikollai Pavlloviç ftonte përherë me kënaqësi të madhe për drekë në Pallatin e Dimrit gjeneralin Ivan Skobelev. Posaçërisht për gjeneralin në tavolinë servirej supiera me shi të vërtetë rus (supë me lakër arme), rizë me qull ose çorbë dhe kulaçë. Dreka të tilla jo të mëdha, në të cilat ftoheshin 2 apo 3 persona të rrethit të afërt, Nikollai I kishte pothuajse çdo ditë. Gjatë kohës së drekës, si rregull, ndonjë muzikant luante në piano. Gatime të ndryshme nuk kishte shumë - 3 apo 4 gjithsej. Ngandonjëherë Perandorit i servirnin veç të tjerëve një vegsh (vorbë) me hikërror, të cilin ai e pëlqente pa masë. Në përgjithësi, Nikollai I hante shumë pak, kryesisht perime. Perandori përveç ujit pothuajse nuk pinte fare pije alkoolike. Rrallëherë i lejonte vetes ndonjë kupë verë. Gjatë darkës cari rus hante përherë një pjatë të të njëjtës supë, të gatuar me patate të grira.

0Edhe gjatë udhëtimeve të veta Nikollai I demonstronte ndjenjën e theksuar të masës në të ngrënë, duke urdhëruar maitre d’hotel-in e vet që gjatë drekës në tryezë të mos servireshin kurrë më tepër se tre gatime. Dhe ky urdhër i tij respektohet pothuajse gjithmonë. Por njëherë ndodhi që maitre d’hotel nuk u përmbajt dot nga dëshira për të sjellë në tavolinë edhe një pjatë të katërt shumë delikate me troftë të freskët fare. Dhe si përgjigje ndaj kësaj ai dëgjoi vërejtjen gati kërcënuese perandorake: “Ç’është kjo - pjata e katërt? Hajeni vetë atë!”. Cari hodhi picetën me zemërim dhe u largua nga tavolina.