Shkarko audiofailin

0Të martën, më 22 mars, Kryeministri rus Vladimir Putin fillon turneun e vet dyditor ballkanik. Ai do të vizitojë gjatë tij Slloveninë dhe Serbinë. Kësaj teme i kushtoi komentin e vet vëzhguesi i “Zërit të Rusisë” Pjotër Iskenderov. Negociatat e pritshme të Kryeministrit rus në Lubjanë dhe Beograd do të kenë drejtim të spikatur ekonomik. Pas ngjarjeve në Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme duket fare qartë se tregu i naftës dhe gazit natyror nuk do të kthehet më dot në gjendjen e vet të mëparshme. Ndërsa problemet me elektrostacionet atomike të Japonisë dhanë goditje serioze mbi perspektivat e zhvillimit të energjetikës atomike. Si rrjedhojë, për Europën rritet atraktiviteti i itinerareve transballkanike, ndër të tjera edhe projektit rus të gazsjellësit “South Stream” (“Rryma Jugore”). Në qoftë se duke u nisur për nga kjo pikëpamje do ti hidhet një vështrim hartës së rrugëve më të perspektivshme të transportimit të gazit natyror në vendet e Bashkimit Europian, atëhere bëhet plotësisht evidente dhe e kuptueshme pikërisht rëndësia e Sllovenisë dhe Serbisë. Vendi i parë gjeografikisht ndodhet ngjitur me Austrinë, vendin me stacionet më të mëdha mbarëeuropiane të shpërndarjes së gazit, kurse Serbia, falë pozitës së vet në Ballkan, është e aftë të bëhet udhëkryq për një sërë itineraresh që kalojnë nga terminalet e Detit të Zi jo vetëm në Austri, por edhe, për shembull, nëpërmjet Shqipërisë ose Bosnjë e Hercegovinës në Adriatik dhe më tej në Itali. Negociatat e Kryeministrit rus Vladimir Putin në Lubjanë dhe Beograd do të mbështeten në bazën ekzistuese të qëndrueshme kontraktuale në sferën e energjetikës. Në nëntor të vitit 2009 u nënshkrua marrëveshja mbi parametrat e shtrimit të linjës kryesore të tubacionit “South Stream” (“Rryma Jugore”) nëpërmjet Sllovenisë në Austri dhe degëzimit të tij drejt Italisë Veriore. Ndërsa dokumentet e nënshkruara ruso-serbe në janar të vitit 2008 parashikojnë jo vetëm pjesëmarrjen e Serbisë në realizimin e projektit “South Stream”, por edhe ndihmën financiare ruse në ndërtimin e depozitës (rezervuarit) së ruajtjes së gazit në rajonin e qytetit serb Banatski Dvor si dhe blerjen nga Kompania “Gazprom neft” të paketës kontrolluese të aksioneve të Kompanisë “Industria e Naftës e Serbisë” (NIS). Këto dokumente i përforcojnë Serbisë rolin e hallkës kyçe në garantimin e sigurisë energjetike të mbarë Europës. Por qëllim i negociatave ruso-serbe dhe ruso-sllovene nuk janë vetëm projektet ekonomike, por edhe rivendosja dhe zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve gjithëpërfshirëse, vuri në dukje në bisedën e zhvilluar me Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” Drejtori i Institutit rus të Sllavistikës Konstantin Nikiforov: “- Unë mendoj, se tani mund të flitet pikërisht mbi një kontribut të tillë në zhvillimin e lidhjeve  tona. Do ta vlerësojmë këtë si edhe një kanal tjetër suplementar për zhvillimin e bashkëpunimit tonë. Ndërsa bashkëveprimi në energjetikë, në sferat e tjera tregtaro-ekonomike, do ti bëjë në mënyrë të pashmangshme më të ngushta lidhjet në fushën e politikës, shkencës, teknologjive të larta. Më parë lidhjet e Rusisë me Ballkanin përcaktoheshin nga interesat e çlirimit kombëtar të popujve të rajonit. Në kushtet aktuale një impuls të ri destinohet ti japë bashkëpunimit politik ekonomia”, - konkludoi Konstantin Nikiforov.