Shkarko audiofailin


Në sektorin rus të Arktikut filloi faza pranverore e operacionit për mbrojtjen e ariut të bardhë (polar) dhe monitorimin e migrimit të tij. Arushat së bashku me këlyshët e vet dalin nga strofkat në fund të marsit - në fillim të prillit dhe fillojnë të enden, të bredhin nëpër fushat e akullta pafund. Pikërisht në ditë të tilla është tejet e rëndësishme të bihet në gjurmët e ariut, veçanërisht të arushës me këlyshin e vet: sepse kjo dhe është në fakt dëshmi evidente e rritjes së popullatës së tyre. Këtë aksion e zhvillon WWF (World Wildlife Fund) e Rusisë dhe Këshilli rus për gjitarët detarë. Nga Deti Barenc e deri në Ngushticën e Beringut, përgjatë gjithë bregdetit arktik, kafshën do ta monitorojnë specialistët e patrullës, në të cilën hyjnë edhe inspektorë të rezervateve natyrore, edhe bashkëpunëtorë të stacioneve polare si dhe, thjesht, banorë vendas. Ja se ç’thotë për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” Viktor Nikiforov, Drejtuesi i këtij projekti të WWF të Rusisë: “- Bregdeti është jashtëzakonisht i madh, në çdo kilometër është e pamundur të vendoset nga një inspektor apo monitorues. I vetmi shans është ingranimi në këtë mision i banorëve vendas, të cilët jetojnë në Veri, me qëllim që ata të mund ta kontrollojnë vetë territorin. Shumë nga ata punojnë vullnetarisht, falas, mbështesin projektin, na dërgojnë informacionin e nevojshëm, në qoftë nëse vërejnë ariun”, - thotë Viktor Nikiforov. Ariun polar e quajnë “re grabitqare dëbore”. Viktima kryesore të tij bëhen, zakonisht, fokat e Arktikut. Kur arrin ta shtjerë në kthetra prenë e vet, ariu polar është në gjendje të hajë njëherazi nga 10 deri në 25 kilogramë mish, por mund të durojnë edhe një kohë të gjatë fare pa ushqim. Ariu i bardhë është kafshë mjaft kurioze, e durueshme dhe aspak agresive. Ai mund të rrijë pranë ujit në pritë të fokës me orë të tëra. Nuk e ka aspak frikë njeriun. Herë pas here viziton stacionet polare. Në qoftë se atij nuk do ti ofrojnë ndonjë gjë për të ngrënë largohet në mënyrë paqësore. Ariu i bardhë është i aftë të notojë dhjetra kilometra në ujë të akullt. Është zhytës i mrekullueshëm dhe di ti mbyllë në mënyrë të habitshme vrimat e hundës dhe të veshëve gjatë kësaj. Ka një mprehtësi të shkëlqyer dëgjimi dhe shikimi, e ndjen prenë në largësi 5-7 kilometra, është në gjendje të ndjejë erën nëpërmjet shtresës së trashë të dëborës. Në Rusi ariu polar është regjistruar në Librin e Kuq të kafshëve që rrezikohen të zhduken. Gjyetia ndaj tij është ndaluar plotësisht që në vitin 1956. Por, pavarësisht nga kjo, personat që merren me gjyeti të ndaluar vrasin çdo vit nga 150-200 arinj të bardhë. Prandaj ata duhen mbrojtur dhe vetëm së bashku ne mund ta ruajmë këtë kafshë të mrekullueshme nga shfarosja. “Patrulla për mbrojtjen e arinjve” në sektorin rus të Arktikut u krijua nga WWF e Rusisë 5 vjet më parë për realizimin e monitorimit gjatë periudhës së migrimit të kësaj kafshe dhe edukimin mjedisor të popullsisë vendase. Kjo përvojë ruse, që demostroi tashmë qartë efektivitetin e vet, planifikohet të aplikohet edhe në vende të tjera, ku gjithashtu jeton ariu polar, për shembull, në Kanada, SHBA, Danimarkë (në Groenlandë).