0Po vazhdon lufta e shpëtuesve japonezë me pasojat e avarisë në elektrostacionin atomik  “Fukushima-1”. Rusia dërgoi atje specialistët e vet për konsultime dhe për dhënien e ndihmës specialistëve atomistë vendas. Për këtë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” i tregoi në intervistën e vet ekskluzive Drejtuesi i departamentit të shtypit të Korporatës Shtetërore ruse për Energjinë Atomike “Rosatom” Sergei Novikov. Specialistët rusë, të cilët mbërritën në Japoni, po japin ndihmë konsultative. Gjithsej ata janë dy veta - njëri përfaqësues i “Rosatom” dhe tjetri i Institutit Kurchatov. Ata ndodhen aktualisht në shtabin e krizës në Tokio dhe tani për tani nuk bëhet fjalë për shkuarjen e tyre në vendin e katastrofës. Por në qoftë se pala japoneze do të drejtohet me kërkesën e zgjerimit të ndihmës, atëhere ne jemi plotësisht të gatshëm ta japim atë, - tha Sergei Novikov. “- Këta janë njerëz, të cilët mund ta vlerësojnë realisht situatën, të parashikojnë zhvillimin e ngjarjeve dhe tu propozojnë autoriteteve japoneze rrugëdaljen optimale nga situata e krijuar. Këta janë konsulentë me një përvojë jashtëzakonisht të madhe”, - tha Sergei Novikov. Ai shtoi, se skenari më i keq, sipas të cilit mund të zhvillohet situata, është shkrirja e zonave aktive të blloqeve të energjisë dhe shkrirja e lëndës djegëse bërthamore në rezervuarët e mbajtjes së saj, meqenëse nuk sigurohet ftohja normale e karburantit bile dhe me ndihmën e ujit të detit. Ky skenar qe parashikuar prej specialistëve rusë dhe, ç’është për të ardhur keq, po realizohet dita-ditës në jetë. E megjithatë Sergei Novikov bëri thirrje për të mos e dramatizuar situatën. Ndërkohë lufta e specialistëve japonezë me pasojat e avarisë të kujton gjithnjë e më tepër operacionin luftarak. Helikopterët e forcave ushtarako-ajrore japoneze përpiqen të ftohin reaktorët, që pësuan avari, duke hedhur mbi ta ujë deti dhe acid borik. Po bëhet gjithçka e mundur me qëllim që të çohet energjia elektrike deri në elektrostacion dhe të rifillojë, si rezultat, puna e sistemeve të ftohjes, të cilët u shkatërruan nga cunami. Autoritetet ndërkaq nuk planifikojnë zgjerimin e zonës së boshatisur rreth e përqark “Fukushima-1” me rreze deri në 20 kilometra. Ndërsa kjo do të thotë, se ato shpresojnë në përfundimin pozitiv të likuidimit të pasojave të situatës emergjente.