Shkarko audiofailin

0Specialistët rusë të Qendrës së operacioneve veçanërisht të rrezikshme “Lider” dhe grupi ekspert i Korporatës Shtetërore për Energjinë Atomike të Rusisë “Rosatom” mbërritën në Japoni në lidhje me situatën emergjente që u krijua në elektrostacionin atomik “Fukushima-1”. Qëllim i tyre është ti japin në vendin e ngjarjes personelit të elektrostacionit atomik ndihmën e nevojshme dhe të parandalojnë, mundësisht, zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve sipas skenarit të Çernobilit. Njoftimet që dëgjohen nga Japonia po vijnë duke marrë një karakter gjithnjë e më alarmues. Pas serisë së zjarreve dhe shpërthimeve në “Fukushima-1” ndodhi rrjedhja e rrezatimit radioaktiv. Në gjendje avarie ndodhen tani edhe të gjitha 6 elektrostacionet atomike në Japoni. Personeli i tyre është evakuuar. Agjencia franceze për sigurinë bërthamore e vlerësoi situatën e krijuar sipas nivelit të 6 ndërkombëtar, nga 7 të mundshmit, të avarive bërthamore. Por Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (ANEA) nuk e konfirmon pikëpamjen e francezëve në këtë rast. Specialistët ankohen për pamjaftueshmëri informacioni, gjë kjo që e ndërlikon shumë parashikimin e tyre real. Sipas fjalëve të Drejtorit të programit për sigurinë atomike dhe atë të rrezatimit bërthamor të Kryqit të Gjelbër (Green Cross) rus Vladimir Kuznjecov, “ky proces u bë për palën japoneze tashmë i pakontrollueshëm, mungon informacioni i plotë: flitet vetëm për jodin dhe ceziumin. Ndërsa për rrezatimin radioaktiv dhe mbi përbërjen isotopike të shkarkimeve (emissioneve) në atmosferë nuk bëhet fjalë fare”. Në reaktorin e pestë dhe atë të gjashtë të elektrostacionit atomik “Fukushima-1” po përgatiten për realizimin e ftohjes së tyre aktive. Për këtë njoftoi Sekretari i përgjithshëm i kabinetit të ministrave të Japonisë Yukio Edano. Sipas fjalëve të tij, kjo është e domosdoshme me qëllim që “të mos lejohet lindja në to e situatës së ngjashme me atë që u krijua në reaktorin e katërt”. Atje, siç mendojnë disa specialistë, ndoshta po ndodh reaksioni i pakontrollueshëm zinxhir. Planifikohet hedhja me helikopterë e ujit dhe acidit borik mbi reaktorët që pësuan avari. Por tani për tani operacioni shtyhet kohë pas kohe për shkak të rritjes së theksuar të nivelit të rrezatimit. Ndërkohë, të mërkurën, në rajonin e Tokios ra një tërmet tjetër me magnitudë prej 6 ballësh, ndërsa një ditë më parë në prefekturën Shizuoka - 6,4 ballë. Në rajonet e dëmtuara nga tërmeti shkatërrimtar po punojnë shpëtuesit. Njësia më e madhe e tyre është nga Rusia. Autoritetet japoneze konfirmuan tashmë vdekjen e më tepër se 3600 vetave. Bashkë me njoftimet tragjike vijnë edhe lajme mbi njerëz mrekullisht të mbijetuar. U arrit të shpëtohet një vajzë 4-muajshe, e cila kaloi nën rrënoja disa ditë. Më parë u njoftua mbi gruan fatlume 60-vjeçare Hiromitsu Shinkava, e cila plot dy ditë lundoi në det të hapur mbi një copë çatie të shtëpisë së vet, të marrë nga cunami, deri sa e pikasën dhe e shpëtuan marinarët e forcave ushtarako-detare japoneze.