Një nga personalitetet më enigmatike prej gjithë atyre që janë ulur në  fronin rus, pa dyshim, është njeriu i njohur me emrin Pseudo-Dimitri I. Ky monark quhej zyrtarisht - Car Dimitri Ivanoviç dhe e hiqte veten për të birin e Carit Ivani i Tmerrshëm - princin Dimitri, që mrekullisht i kishte shpëtur vdekjes.

Pseudo-Dimitri I e drejtoi shtetin Rus për një kohë fare të shkurtër, nga vera e vitit 1605 deri në maj të vitit 1606, por la një gjurmë të qenësishme si në historinë ruse, ashtu dhe në kulturën ruse, e cila u përpoq të perceptonte fenomenin e carit të rremë, mashtrues.

Dukjen e Pseudo-Dimitrit I e parapriu uria e tmerrshme e periudhës së viteve 1601-1603, e shkaktuar prej bereqetit të keq për 3 vite rresht, që përfshiu në mënyrë të pamëshirshme gjithë vendin me përjashtim të qarqeve jugore të tij. Qindra mijëra njerëz u bënë viktima të urisë; çmimet e drithit u rritën në dhjetra herë. Në vetëdijen popullore kjo gjëmë e madhe perceptohej si “ndëshkim i Perëndisë” për mëkatet e Carit Boris Godunov. Prandaj nuk mund të mos ngjalleshin thashethemet mbi “të birin zemërmirë” të carit - Dimitrin, i cili arriti ti shpëtojë xhelatëve të dërguar prej Boris Godunovit për ti marrë jetën atij. Historianët nuk kanë arritur deri tani në një përfundim të caktuar në lidhje me atë, se cili ishte në të vërtetë njeriu që e hiqte veten si princi Dimitri: murg italian, murgu i arratisur rus Grigori Otrepyev apo i biri i Carit Ivani i Tmerrshëm, që arriti ti shpëtojë mrekullisht vdekjes.

Por sido që të jetë në të vërtetë, me ndihmën e trupave polake dhe mbështetjen nga ana e popullsisë, Pseudo-Dimitri filloi të avancojë drejt Moskës dhe në qershor të vitit 1605 ai hyri triumfalisht në Kremlin.

Cari i ri e kishte me qejf të madh të ngrënin dhe organizonte gosti të zhurmshme për oborrtarët e vet. Por shumica e njerëzve filloi të permatohet nga futja në jetën e përditshme të risive të papranueshme për ta nga Pseudo-Dimitri. Cari e bëri zakon shoqërimin e drekës në oborrin mbretëror me muzikë, këngë, nuk respektonte traditat - nuk lutej para se të fillonte drekën, nuk lante duart mbas të ngrënit. Midis të tjerash Pseudo-Dimitri, ndryshe nga carët e mëparshëm, nuk flinte pas dreke duke preferuar ta kalonte kohën me shëtitje ose të merrej me punët e shtetit. Dhe këto gjëra shumë veta i detyronin të mprehnin vemendjen dhe të shfaqnin zemërim.

Por pezmatimin më të madh e shkaktonte vetë fakti, se Cari urdhëronte të servirej në tavolinë mishi i viçit, të cilin rusët nuk e hanin, duke e quajtur atë ushqim të ndaluar, mëkatar.

Fillim i fundit të Pseudo-Dimitrit u bë dasma e tij madhështore me të bijën e një fisniku polak Marina Mnishek (pol. Maryna Mniszech). Me rastin e dasmës në Moskë mbërritën shumë aristokratë të njohur polakë me shpurat e tyre. Nusja e Carit nuk e fshihte aspak pakënaqësinë e vet ndaj dokeve e zakoneve të hershme vendase. Ajo qahej vazhdimisht se nuk i pëlqente fare “ushqimi i Moskës”. Marina nguli këmbë në të vetën dhe ia mbushi mendjen Carit ti sillte asaj nga Polonia kuzhinierë, ndihmësa, shërbëtorë e lakej polakë.

Në kundërshtim me të gjitha traditat ruse ceremonia e gostisë martesore, e cila vazhdoi edhe ditën tjetër, u caktuan më 9 maj - në Ditën e Shën Nikollë Çudibërësit (gjë kjo që quhej sakrilegj në popull). Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, Cari i gosti çifligarët rusë me gatime polake, ndër të tjera edhe me mish viçi të zier dhe të pjekur, i cili quhej në Moskë “ushqim i përbuzur”. Kuzhinierët rusë nuk e lanë tu shpëtojë mundësia për ta përhapur në popull këtë dhe moskovitët i përcorcuan akoma dhe më shumë pas kësaj dyshimet e veta në lidhje me atë, se Cari i tyre nuk është rus orthodhoks, por polak.

Ndërsa Cari i rremë, në dasmën shumëditore të të cilit publikun e argëtuan 70 muzikantë, as që donte t’ia vinte veshin fare qarjes, pakënaqësisë së shurdhër të popullit dhe i dhënë pas qejfeve i la fare pas dore punët shtetërore. Ndërkohë mysafirët e dehur dhe çakërrqejf të Carit, ndër të tjera edhe polakët e ardhur në dasëm, filluan të bëjnë trazira e skandale në Moskë duke hyrë me forcë e shpërthime dyersh nëpër shtëpitë e njerëzve, duke sulmuar kalimtarët e duke iu hedhur grave. Këtë moment e shfrytëzuan komplotistët me në krye kniazin (princin) rus Vasili Shuiskij. Ata ngritën në këmbë moskovitët kundër polakëve, ndërsa më pas vranë edhe vetë Carin e rremë (mashtrues). Është mjaft interesant fakti, se shumë veta atëhere arsyetonin në këtë mënyrë: në qoftë se Pseudo-Dimitri nuk do të kishte shpërfillur traditat e gostive, do të kishte respektuar mbajtjen e kreshmës, nuk do të hante mish viçi dhe do të flinte pas dreke, ai do të kishte ruajtur edhe fronin e carit, edhe jetën e vet.