E veja e Dukës së Kurlandit (Herzogtum Coerland), e bija e Carit Ivani V dhe mbesa e Carit Pjetri i Parë, Anna në moshë shumë të pjekur, në vitin 1730, hipi në fronin rus vetëm falë përkimit fatlum të një vargu rrethanash për të. Këshilli i Lartë i fshehtë, i cili u krijua nga një grup përfaqësuesish të aristokracisë ruse, pas vdekjes së Perandorit të ri në moshë Pjetri II, ftoi Annën për të drejtuar Rusinë si monarke me kompetenca të kufizuara. Por perandoresha Anna Johanovna me të hipur në fron diti të përqëndrojë gjithë pushtetin në duart e veta dhe pas kësaj shpërndau Këshillin e Lartë.

Vërtet, Anna Johanovna nuk mund të renditet kurrsesi midis monarkëve më të mirë të Dinastisë së Romanovëve. Ajo ishte një sundimtare origjinale, duhet thënë, mjaft besëtyte dhe preferonte shoqërinë e hokatarëve, gaztorëve të oborrit mbretëror si dhe gjyetinë.

Ndryshe nga shumë carë dhe perandoresha ruse Anna Johanovna ishte njeri i përkorë në përdorimin e alkoolit. Ajo pinte shumë pak pije, megjithëse dhe e fillonte ditën me birrë dhe një sasi të vogël vere të vjetër hungareze gjatë ngrënies së mëngjesit. Thonë, se në qëndrimin e saj të përkorë, të matur ndaj përdorimit të pijeve ndikoi fati i trishtueshëm i bashkëshortit të saj të ri, Dukës Friedrich Wilhelm, pjesëmarrja e të cilit në gostitë me të ngrëna e të pira pa karar në Peterburg, ia dëmtoi kaq shumë shëndetin, saqë ai vdiq gjatë rrugës nga Rusia në Kurland.

Prandaj dhe nuk të habit aspak fakti se gostitë e pritjet që shtroheshin në pallatin e Anna Johanovna-s ishin kryesisht pa pije alkoolike. Vetëm në përvjetorin e ardhjes në fron të Perandoreshës bëhej përjashtim nga ky rregull - në këtë ditë, më 19 janar, fisnikët që vinin në pallat për të uruar Perandoreshën duhej të uleshin me një gju në tokë përpara saj dhe të pinin me fund kupën e madhe me verë hungareze që u ofrohej.

Perandoresha pëlqente shumë kvasin (pije karakteristike ruse kjo e ngjashme shumë me bozën vetëm në ngjyrë çaji). Atë duhej ta servirte me kërkesën e parë të Anna Johanovna-s hokatari, gaztori i oborrit mbretëror, princi Mihaill Golicin (kniazi Mikhail Golitsyn). Hokatar i oborrit ky aristokrat u bë për shkak se u martua kundër dëshirës së Perandoreshës me një vajzë katolike italiane.

Periudha e drejtimit të Anna Johanovna-s u shënua nga shpenzimet jashtëzakonisht të mëdha që bëheshin për argëtime e zbavitje. Harxhimet për ballot dhe mbajtjen e oborrit mbretëror i tejkalonin në disa dhjetra herë shpenzimet për mbajtjen e ushtrisë dhe flotës. Megjithëse organizonte ballo e gosti, të cilat habisnin e mrekullonin me luksin e tyre si nënshtetasit e saj, ashtu dhe të huajt, në jetën personale Anna Johanovna shquhej njëkohësisht për thjeshtësi dhe maturi. Duke qenë njeri mjaft besimtar ajo respektonte në mënyrë rigoroze kreshmat. Zakonisht Anna Johanovna ngrihej nga gjumi para orës 8 të mëngjesit. Pas lutjes dhe ngrënies së një mëngjesi të lehtë në orën 9 dëgjonte thashethemet e fundit dhe më tej ia hynte në kabinetin e vet punëve shtetërore. Vërtet, duhet thënë, se për punët e shtetit Perandoreshës, dita e së cilës ishte e zënë me lojë me letra, biseda e thashetheme oborri si dhe me gjyeti, kohë i mbetej fare pak. Në mesditë Perandoresha Anna drekonte në apartamentet e veta të brendshme së bashku me familjen e favoritit të saj, Ernst Johann Biron.

Tryeza festive me bujari të tepruar shtrohej nga Perandoresha vetëm në raste festash të mëdha dhe atëhere ajo e veshur me salltanet marramendës ulej nën baldakinin (it. baldacchino), tendën luksoze mbi fron. Zakonisht, po në atë sallë, shtronin një tavolinë të madhe për parinë aristokratike, përfaqësuesit e klerit të lartë, zyrtarët e rangut të parë dhe diplomatët e huaj. Gjatë kohës së darkës Anna Johanovna hante shumë pak, lutej para gjumit dhe në orën 12 të natës binte të flinte. Dhe këtij rregulli ajo i përmbahej pothuajse çdo ditë.