0Në ditën e fundit të vizitës së punës Nënpresidenti i SHBA Joseph Biden foli mbi anulimin e regjimit të vizave midis Rusisë dhe SHBA, mbrojtjen e përbashkët antiraketore, me një fjalë, mbi gjithçka që përbën “riformatimin” e marrëdhënieve të dy shteteve. Joseph Biden është autori i termit të famshëm “riformatim” për Rusinë dhe SHBA. Por mbi kthesën e re në marrëdhëniet dypalëshe foli sot Kryeminstri Vladimir Putin: “- Në qoftë se Rusia dhe SHBA do të merreshin vesh midis tyre për vendosjen e regjimit pa vizave më parë se ne ta bënim një gjë të tillë me BE, atëhere ky do të ishte një hap me të vërtetë historik në marrëdhëniet midis Rusisë dhe SHBA. Ne do të kthenim me këtë një faqe të qenësishme në të kaluarën tonë dhe do të fillonim gjithçka nga e para”, - u shpreh Putin. Nuk mund ta quash ndryshe veçse si anakronizëm kohëzgjatjen  e procesit të hyrjes së Rusisë në OBT. Ai po vazhdon tashmë që prej 17 vjetësh. Kjo temë u bë lajtmotiv i vizitës së Biden në Rusi. Negociatat midis Rusisë dhe SHBA në lidhje me hyrjen në OBT tashmë kanë përfunduar. Por marrëdhëniet tregtare të dy shteteve janë shumë larg nga ato që mund të quhen ideale. Ato i ndërlikon në mënyrë të ndjeshme amendamenti i Jackson-Vanik-ut. I miratuar nga Kongresi amerikan në vitin 1974, ai vendosi kufizime në tregtinë me Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike për shkak të mugesës në Bashkimit Sovjetik të lirisë së emigracionit. Anulimin e këtij amendamenti e premtoi tashmë Presidenti Barack Obama. Biden siguroi: “në SHBA e kuptojnë për mrekulli se anulimi i këtij amendamenti dhe anëtarësimi i Rusisë në OBT janë si në interes të rusëve, ashtu dhe të amerikanëve”. “Presidenti Obama dhe unë e mbështesim vendosmërisht hyrjen e Rusisë në OBT. Kjo do ta ndihmojë Rusinë të forcojë marrëdhëniet ekonomike me SHBA dhe me gjithë botën. Pikërisht për këtë ne dhe po punojmë bashkarisht, që amendamenti i Jackson-Vanik-ut të anulohet”.  Sipas mendimit të Biden, administrata paraardhëse amerikane për 8 vjet të drejtimit të saj nuk shfrytëzoi mundësinë e përmirësimit të marrëdhënieve me Rusinë. Ndërsa “riformatimi”, i shpallur nga Obama dhe Medvediev, tashmë dha rezultatet e veta pozitive. Ai kujtoi edhe ndryshime të tjera të mira. “Në dhjetor të vitit 2008, një muaj para se administrata jonë të fillonte nga plotësimi i funksioneve të veta, vetëm 17% e qytetarëve rusë kishin mendim pozitiv për SHBA. Këtë vit njerëz të tillë përbëjnë tashmë 60% të popullsisë ruse. Më parë amerikanët e klasifikonin Rusinë ndër 5 vendet që i kërcënohen atyre. Në vitin 2011 vetëm 2% e amerikanëve e vlerësojnë Rusinë si rrezik potencial për Amerikën. Të gjitha këto na bëjnë ne të arrijmë në konkluzionin e rëndësishëm - dhe kjo është tani absolutisht e padiskutueshme - se rifomatimi po funksionon me të vërtetë dhe për të gjithë, duhet thënë”, - vuri në dukje Nënpresidenti i SHBA Joseph Biden.