Shkarko audiofailin


Libia u mbyt në shtëllungat e tymit të depove të magazinimit të naftës të përfshira nga flakët. Trupat qeveritare vunë në veprim jo vetëm tanket, por edhe aeroplanët e forcave ushtarako-ajrore. Ndërkohë, në Egjipt mbërriti përfaqësuesi i komandës ushtarake libiane. Atij i është ngarkuar detyra e dorëzimit të mesazhit të Gaddafit Këshillit të Lartë ushtarak të Egjiptit. Po ç’shpresa ushqen vallë Gaddafi duke iu drejtuar Egjiptit? Ka shumë mundësi që fjalë të bëhet më tepër për sigurimin e mbështetjes diplomatike, mendon analisti i Institutit rus të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Aleksandër Umnov: “- Unë mendoj se në këtë rast ka vend një moment krejtësisht psikologjik: thjesht, vetë fakti se Gaddafin e mbështesin ndofarë forcash të jashtme i shërben automatikisht forcimit të pozitave të tij brenda vendit. Në përgjithësi, regjimi i Gaddafit është ruajtur në gjendjen e vet të mëparshme. Solidariteti i këtyre regjimeve mund të luajë rolin e vet”, - tha Aleksandër Umnov. Kryengritësit libianë gjithashtu po rrisin aktivizimin e tyre diplomatik. Këshilli Kombëtar i Libisë, me seli në qytetin Benghazi, iu drejtua komunitetit ndërkombëtar me thirrjen për ta njohur atë si pushtetin legjitim të vendit. Komuniteti botëror tani për tani nuk po deklaron qartë mbi dhënien e mbështetjes nga ana e vet, duke vazhduar ndërkohë të diskutojë mundësinë e bllokimit të hapësirës ajrore të Libisë. Nuk është aspak e lehtë të merret vendimi në situatën që është krijuar tani. Siç vuri në dukje në vigjilje Ministri italian Roberto Maroni, ndërhyrja ushtarake në punët libiane mund të çojë në fillimin e Luftës së Tretë Botërore.