Shkarko audiofailin


9 marsi është ditëlindja e Juri Gagarinit. Kozmonauti i parë i Tokës sot do të kishte mbushur 77 vjetorin e vet. Këtë vit kremtohet jubileu gjysmë shekullor i fluturimit të tij historik në kozmos. Shumë veta e njohin replikën tashmë legjendare, të shprehur prej Juri Gagarinit në sekondat e para të startit: “Nisemi! (“ Let’s go!”). Por pak persona janë në dijeni të asaj që ndodhi më vonë. Gagarini, në mënyrë të prerë, si ushtarak, raporton në Qendrën e Drejtimit të Fluturimeve si vijon: “Ndjej mbingarkesën, vibracionin, të gjitha këto po i përballoj normalisht”. Më pas toni i kozmonautit fillon të ndryshojë: “Më kanë pushtuar emocione të forta - gëzimi, ngazëllimi të madh”. Duke u munduar të superojë zhurmën e motorëve, Gagarini me zë të gëzueshëm, kumbues njofton se në dritaren e vogël (iluminator) shikon Tokën - dëborën, pyjet, relievin e terrenit. Duam të theksojmë në këtë rast, se gjithçka që përshkruhet po ndodh për herë të parë, në sekondat me të rrezikshme të fluturimit. Gagarini nuk shfaq kurrfarë shenjash frike, përkundrazi, ai është i pushtuar nga entuziazmi, euforia e plotë.

Djaloshi Juri rridhte nga një familje e thjeshtë fshatare. Në vitet e fëmijërisë ai përjetoi luftën, okupacionin e vendit. Jeta e tij ishte e mbushur me vështirësi dhe privacione. Në shkollë shquhej si nxënës i zellshëm, por familja provonte vështirësi dhe ai duhej të ndihmonte prindërit për të nxjerrë bukën e gojës. Prandaj vendosi të vazhdonte shkollën profesionale për përvetësimin e  specialitetit të modeluesit (derdhës i formës) - shkrirës metali (punëtor fonderie). Paralelisht ndiqte shkollën e natës. Më tej ndoqi teknikumin industrial, u bë pjesëtar i aeroklubit, vazhdoi shkollën e pilotëve ushtarakë. Shërbeu për një kohë jo të gjatë sipas profesionit, deri në momentin që u zgjodh në njësinë e kozmonautëve.

Në natyrën e Gagarinit kishte disa veti të habitshme, të cilat i zbulon kur lexon kujtimet e njerëzve që e njihnin nga afër atë, kur dëgjon zërin e tij, kur sheh fotografitë dhe video-filmimet e ruajtura në arkiva. Ai ishte një njeri plot dinjitet, karizmatik, simpatik, vital, i guximshëm, i ekuilibruar, i ngrohtë në komunikim, tejet i thjeshtë, i cili punonte me veten, perfeksionohej vazhdimisht, veçanërisht në ruajtjen e formës së mirë fizike. Mund të thuhet, se këto veti të mrekullueshme ai i kishte të trashëguara nga natyra. Ndoshta ato ishin dhunti të falura atij me bujari nga vetë Perëndia, si dhe të fituara me vullnet të madh gjatë jetës nga kozmonauti. Edhe e para, edhe e dyta, edhe e treta, me siguri të gjitha së bashku, përbëjnë thelbin e së vërtetës. Midis fotografive të shumta është edhe një aspak tipike për të: në të cilën ai nuk buzëqesh. Fotografia, ka shumë mundësi, të jetë bërë vetëm disa minuta pas uljes së tij në Tokë. Në të ai është fiksuar me skafandër të hequr nga koka dhe me kostumin special të zbërthyer në gjoks. Fytyra e tij në të është e paqme, disi e zbehtë, pak e hequr, me reliev të theksuar nofullash - fytyra e njeriut të dobësuar ashtu menjëherë, të rraskapitur. Vështrimi i tij është i përhumbur, mungues, i frymëzuar, i drejtuar brenda shpirtit të vet.

Ka shumë mundësi që me sytë e imagjinatës ai shikon sërish pamjet që sapo vëzhgoi në kozmos. Por, ndoshta, në atë moment kozmonauti i parë i Tokës parashikon vdekjen e vet, të mbetur deri tani krejtësisht misterioze - gjithsej pas 7 vjetësh, në moshën 34 vjeçare. Përgjigjen për këtë ne nuk do ta mësojmë, me sa duket, dot kurrë.