Dita Ndërkombëtare e Grave për herë të parë u kremtua në vitin 1911 në Gjermani, Austri, Zvicër dhe Danimarkë si Ditë e solidaritetit të grave në luftën e tyre për të drejta të barabarta ekonomike dhe politike me burrat. Në Rusi kjo ditë u kremtua për herë të parë në Peterburg në vitin 1913 si Dita e luftës kundër padrejtësive dhe shfrytëzimit. Si festë 8 Marsin në vendin tonë filluan ta kremtojnë që nga viti 1918. Që në vitet e para të drejtimit të pushtetit sovjetik festa mori status shtetëror, kurse në maj të vitit 1965 u shpall bile dhe ditë pushimi.

Sipas statistikës në Rusi numërohen 76, 3 milionë femra - ndërsa kjo është më tepër se 50% e popullsisë së vendit. Fushat tradicionale të veprimtarisë së përfaqësueseve të seksit të dobët janë arsimi, mjekësia, shkenca dhe sfera sociale.

Statistikat tregojnë se femrat janë pjesa më e arsimuar e popullsisë së Rusisë. Femrat me arësim të lartë përbëjnë 62% të popullsisë, kurse meshkujt - 50%. Stafet e pedagogëve dhe profesorëve të shkollave të larta të vendit në më tepër se gjysmën e tyre formohen prej femrave. Është vështirë të përfytyrohet pa gratë edhe mjekësia ruse: sipas të dhënave të burimeve të ndryshme në këtë sferë punojnë më shumë se 80% e tyre.

Sipas Kushtetutës së Federatës Ruse, gratë në mënyrë të barabartë me burrat kanë të drejtë të marrin pjesë në menaxhimin e punëve shtetërore. Por, ç’është për të ardhur keq, treguesi që pasqyron përfaqësimin e grave ruse në organet e pushtetit vazhdon të mbetet shumë i ulët. Në Administratën e Presidentit të Rusisë 3 gra zenë postet e ndihmëseve të Kryetarit të shtetit, njëra atë të Sekretares së shtypit të tij, tjetra të Shefes së Protokollit kurse e treta është Sekretare referente. 3 gra zenë poste ministresh: Elvira Nabiulina - Ministre e Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtisë; Tatiana Golikova - Ministre e Shëndetësisë dhe Zhvillimit Social; Elena Skrrinjik - Ministre e Bujqësisë. Në Dhomën e Lartë të parlamentit rus - në Këshillin e Federatës - nga 166 senatorë vetëm 9 prej tyre janë gra. Nga 450 deputetët e Dumës Shtetërore vetëm 65 janë femra. Kurse liderët e të gjitha partive politike janë meshkuj.

Por pavarësisht nga të gjitha këto, aktualisht për 33% të qytetarëve rusë Dita Ndërkombëtare e Grave është, në radhë të parë, ditë e emocioneve të këndshme. Më 8 Mars burrat u dhurojnë grave lule të mrekullueshme dhe tregohen shumë bujarë në komplimentet në adresë të tyre. Dhe në këtë ditë flitet veçanërisht shumë mbi atë, se sa shumë gjëra në jetë varen nga gratë.