Fjalimin e Winston Churchillit në Fulton, mbajtur më 5 mars të vitit 1946, shpesh herë e quajnë sinjal të fillimit të luftës së ftohtë. Ndërsa, në fakt, kjo luftë kishte filluar tashmë, por Cherchill, thjesht, ishte i pari që i quajti gjërat me emrin e tyre të vërtetë.

Mospërputhjet e mendimeve, divergjencat midis aleatëve ishin bërë mëse evidente pa mbaruar ende lufta kundër nazizmit. Por, për sa kohë që lufta vazhdonte, mosmarrëveshjet midis tyre mbuloheshin me të gjitha mënyrat e mundshme: as njëra dhe as tjetra palë nuk donin të vepronin në interes të nazistëve, të cilët ëndërronin shkatërrimin e koalicionit antihitlerian.

Aty nga fillimi i vitit 1946 konflikti i hapur u bë krejtësisht i pashmangshëm - nevojitej vetëm fjalimi i njeriut që gëzonte autoritet moral në Perëndim. Në Fulton Churchilli e karakterizoi mjaft rreptë politikën e Stalinit në Europë: “Nga Stettin-i në Balltik e deri në Trieste në Adriatik në kontinent u lëshua Perdja e Hekurt. Në anën e përtejme të Perdes mbetën të gjitha kryeqytetet e shteteve të lashta të Europës Qendrore dhe Lindore - Varshava, Berlini, Praga, Vjena, Budapesti, Beogradi, Bukureshti, Sofia. Të gjitha këto qytete të famshme dhe popullsia në rajonet e tyre u ndodhën brenda kufijve të asaj që unë e quaj sferë sovjetike. Të gjitha ato në këtë apo atë formë i nënshtrohen jo vetëm ndikimit sovjetik, por dhe kontrollit të qenësishëm dhe gjithnjë në rritje të Moskës”. Është mjaft interesant fakti, se megjithëse në Fulton mbi “Perden e Hekurt” foli politikani që nuk ndodhej më në shërbim shtetëror, fjalimi i tij u mbajt në prani të Presidentit të SHBA Harry Truman, i cili nuk i mohoi, pra, nuk i hodhi poshtë fjalët e Churchillit.

Rëndësia e veçantë e fjalimit të Fultonit konsiston në atë, se Churchilli e krahasoi në të Bashkimin Sovjetik me fashizmin gjerman. Ai kujtoi mbi paralajmërimet e veta në lidhje me rritjen e agresivitetit të Gjermanisë hitleriane në vitet 30-të dhe bëri një analogji të drejtëpërdrejtë me regjimin stalinist, duke dalë kundër “pajtimit” me të: “Nga ato që unë kam vëzhguar në sjelljen e miqve dhe aleatëve tanë sovjetikë gjatë kohës së luftës, arrita të konsolidoj bindjen time se ata më tepër se gjithçka tjetër adhurojnë forcën, dhe ushqejnë më pak respekt se ndaj çdo gjëje tjetër ndaj dobësisë ushtarake”. Vetkuptohet, se në këtë rast, Churchill bëri njëfarë reverance në adresë të aleatit të paradokohshëm, meqenëse në rast të kundërt atë nuk do ta kuptonin e nuk do ta mbështesnin shumë qytetarë të vendeve perëndimore, të cilët me të drejtë të plotë e perceptonin Bashkimin Sovjetik si vendin që dha kontributin më të madh në arritjen e fitores mbi Gjermaninë hitleriane. Për miliona amerikanë dhe anglezë fjalët Leningrad dhe Stalingrad u bënë simbole të guximit, burrërisë dhe stoicizmit, pavarësisht nga qëndrimi i tyre ndaj ideologjisë komuniste.

Formulimet e Churchillit destinoheshin të përcillnin mesazhin, se Perëndimi po ndryshon qëndrimin e vet ndaj Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS). Dhe Stalini nuk mënoi fare me përgjigjen e vet. Nuk kaluan as 2 javë pas fjalimit të Fultonit, kur ai deklaroi në intervistën dhënë gazetës «Правда» (“Pravda”), se “kombet derdhën gjakun gjatë 5 viteve të luftës së ashpër për hir të lirisë dhe pavarësisë së vendeve të veta, dhe jo për atë që sundimi i Hitlerëve të zëvendësohet me sundimin e Churchillëve”. Nuk është vështirë të vihet re në këtë rast se edhe Stalini shfrytëzoi analogjinë “hitlerine”. Pas kësaj rrugë kthimi mbrapsht, në kohërat e aleancës së luftës, nuk kishte më.

Loja e Madhe me luftën e ftohtë çoi në rritjen e theksuar të tensionit në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në garën e shfrenuar të armatimeve. Por më kryesorja - lufta e ftohtë theu në mënyrë të pamëshirshme fatet e njerëzve dhe popujve të tërë, e çoi jo një herë botën në prag të luftës “së nxehtë”. Në qoftë se “çmimi i çështjes” doli kaq i shtrenjtë në të vërtetë, atëhere lind natyrshëm pyetja: A ishte e mundur vallë shmangia e zhvillimit të ngjarjeve sipas skenarit të parashtruar në fjalimin e Fulton-it të Winston Churchillit dhe në përgjigjen e dhënë ndaj tij nga ana e Stalinit? Ndoshta, me shfaqjen e ndërsjelltë të vullnetit të mirë, mund të ishin gjetur megjithatë zgjidhje kompromise në lidhje me çështje konkrete. Po me sa duket nga të gjitha, konflikti principial ishte i pashmangshëm, sepse si tepër diverse, ndërsa shpesh herë bile dhe antagoniste, ishin jo vetëm prioritetet momentale të politikanëve, por dhe vetë sistemet politike dhe interesat gjeopolitike të shteteve kryesore që përcaktonin rrugët e zhvillimit të botës së pasluftës.