Vladimir Putin premtoi ti japë ndihmë fshatarëve rusë. Kryeministri vizitoi qarku e Tambovit, ku mori pjesë edhe në punimet e Kongresit të fermerëve, njofton shtypi. Duke marrë fjalën përpara fshatarëve Putin parashtroi vendimet konkrete në mbështetje të tyre. Kryeministri premtoi se më tepër se 9 milionë fshatarë mund ti sigurojnë ligjërisht vetes të drejtën e pronësisë mbi tokën. Gazeta «Коммерсант» (“Kommersant”) vë në dukje, se kjo procedurë do të realizohet sipas një rregulli të thjeshtëzuar - pa ankande, ndërsa çmimi i shpërblesës do të ulet deri në 15% të vlerës së tokës.

Kaosi i revolucionit në botën arabe po vjen duke u thelluar gjithnjë e më shumë dhe, me sa duket nga të gjitha, do të vazhdojë për një kohë ende shumë të gjatë, konstaton shtypi rus. Ekspertët e gazetës «Труд» (“Trud”) përmendën një sërë pasojash të këtyre ngjarjeve për Rusinë. Më kryesorja prej tyre është rritja e theksuar e çmimeve të naftës. Për arkën e shtetit rus kjo është gjë e mirë, meqenëse një pjesë e qenësishme e të ardhurave të fituara nga shitja e naftës do të plotësojë rezervat e Fondit, i cili shfrytëzohet si jastëk sigurimi në raste situatash të paparashikuara. Por është plotësisht i mundur edhe efekti negativ i tyre. Siç deklaroi Drejtori i Institutit rus të Vlerësimeve Strategjike dhe Analizës Aleksandër Konovallov, për shkak të rritjes së theksuar të çmimeve të naftës mund të shfaqet tundimi për frenimin e modernizimit të ekonomisë ruse.

Svetllana Alillujeva e priti 85-vjetorin e vet në shtëpinë e pleqve (azil), tregon gazeta «Комсомольская правда» (“Komsomolskaja pravda”). Fjalë bëhet mbi vajzën e vetme dhe kanakaren e diktatorit sovjetik Josif Stalin. Por ajo nuk mundi ti falë atij jetën e shkatëruar të nënës së vet, urrente pushtetin sovjetik, ndërsa më vonë u arratis nga Bashkimi Sovjetik. Shkroi kujtime shumë të rrepta, të pamëshirshme, mund të thuhet, për babain e vet, të cilat u përhapën në mënyrë ilegale në Bashkimin Sovjetik. Pasi u lodh nga përçartjet e veta jashtë shtetit, Svetllana Alillujeva kërkoi të kthehet mbrapsht në Bashkimin Sovjetik. Kurse më vonë e braktisi sërish vendin. Mbi fatin e saj të mëtejshëm fliteshin gjëra nga më të ndryshmet. Gazetarët mësuan, se tani këtë grua me fat unikal e quajnë Lana Peters dhe se jeton ajo në SHBA, në qytezën Madison të shtetit Wisconsin. Për të kujdesen punonjësit socialë. Unë kam gjithçka të nevojshme për jetën, nuk më mungon asgjë, u thotë ajo korrespondentëve. Me të afërmit e vet në Rusi Svetllana Alillujeva nuk mban asnjë kontakt.