Shkarko audiofailin


Projekti për zhvillimin e turizmit ekologjik po lançohet nga Shoqata Gjeografike Ruse. Në Rusi ka jo pak vende ku është ruajtur natyra e virgjër dhe i duhet krijuar mundësia njerëzve për ti parë ato, shprehet me bindje të plotë producentja e programeve të turizmit ekologjik në Shoqatën Gjeografike Ruse Ksenia Mishonova. “- Projekti “Mrekullitë e Rusisë” propozon disa itinerare. Për shembull, “Legjendat e Zapoljaries” (në gjuhën ruse zona nga Rrethi Polar deri në pol (përfshirë në rastin konkret edhe Arktikun) në të dyja hemisferat quhet Zapoljarie). 5 ditë udhëtimi, që përfshijnë në vetvete jo vetëm ekskursionin në zonën përtej Rrethit Polar, por edhe pjesëmarrjen në ritualin e pastrimit nga mëkatet në parkun-muze “Zhivun” në Gadishullin Jamal. Ky është një park i mrekullueshëm etnografik natyral nën qiell të hapur jo larg nga Salekhardi, i cili i njeh vizitorët me kulturën e popujve autoktonë të Veriut pikërisht në vendet e banimit të tyre. Turistët mësojnë se si jetojnë ata në çadra (tenda) gjatë dimrit, ata mund të ngasin slitat e mbrehura me drerë, sajat që tërhiqen nga qentë, - tregon Ksenia Mishonova. Përveç kësaj, ekziston edhe një itinerar i habitshëm, i mrekullueshëm nëpër vullkanet e Gadishullit të Kamçatkës. Për 14 ditë turistët mund të shohin më të bukuritë nga ata, të lahen në ujërat e burimeve termale, të njihen me mënyrën e jetesës së banorëve vendas. Pothuajse është gati itinerari për turistët në tajgën e Ussurisë, në rezervatin natyror “Kedrovij Pad” (“Kedrovaya Pad” Nature Reserve). Në Karelia ne i ftojmë turistët të shohin ujëvarën e rrafshinës Kivaç dhe arkipelagun e famshëm Valaam në liqenin Ladoga. Vende të tilla të mrekullueshme në Rusi ka shumë dhe vizitimi i tyre është një dhuratë e vërtetë për çdo adhurues të natyrës së virgjër. Por turizmi ekologjik është gjithashtu edhe udhëtim në historinë e Rusisë, njohje me zakonet e lashta dhe zejet e ndryshme, vazhdon Ksenia Mishonova. “- Shoqata Gjeografike Ruse merret me etnografinë e vendit. Tashmë që prej mëse 145 vjetësh ajo studion trashëgiminë tonë kulturore. Dhe ne kemi një propozim të tillë për turistët: për 6 ditë të vizitojnë qytetet e famshme me zejet e veta specifike popullore. Këto janë Pavlovsky Posad, Vladimir, Mstera, Nizhny Novgorod, Khokhloma, Palekh, Zhostovo. Kurse ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shtojmë, se Shoqata Gjeografike Ruse planifikon të lançojë në vitin 2011 Internet-radiostacionin “Tingujt e jetës” («Звуки жизни»), i cili do të transmetojë këngët e zogjve, klithmat e kafshëve dhe tinguj të tjerë të natyrës së gjallë.