Shkarko audiofailin


Vendosja e armatimeve në hapësirën kozmike dhe sistemi i njëanshëm i Mbrojtjes antiraket nuk mund të injorohen kurrsesi në procesin e çarmatimit bërthamor. Për këtë deklaroi Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov në Konferencën për çarmatimin në Gjenevë. Kreu i dikasterit rus të politikës së jashtme vuri në dukje, si i thonë fjalës, “uljen e shkallës së tensionit” në diskutimet kushtuar çështjeve të sigurisë në rajonin Euro-Atlantik. Një nga arritjet më të rëndësishme në këtë sferë është përfundimi i Traktatit ruso-amerikan mbi shkurtimin e Armatimeve Strategjike Ofensive (ASO). Lavrov nënvizoi veçanërisht, se Rusia del në mënyrë konsekuente për pandashmërinë e sigurisë në rolin e parimit bazë. Ajo bën thirrje për të filluar pa vonesë punën substanciale mbi projektin e traktatit, i cili tu ndalojë shteteve të veçanta dhe blloqeve politiko-ushtarake dislokimin e armatimeve në kozmos. Projekti i këtij traktati është përgatitur nga Rusia dhe Kina që në vitin 2008. Plane të tilla, po ashtu si dhe dislokimi i sistemit të njëanshëm të Mbrojtjes antiraket (MAR) dhe mungesa e ekuilibrit në armatimet konvencionale, mund të ushtrojnë ndikim negativ në stabilitetin ekzistues strategjik, shprehet me bindje Ministri rus: “- Njëkohësisht në rendin e ditës së çarmatimit ekzistojnë një sërë çështjesh prioritare. Një vend të veçantë midis tyre zë detyra e hyrjes sa më të shpejtë në fuqi të Traktatit mbi ndalimin e gjithmbarshëm të provave bërthamore. Përsëri u bëjmë thirrje të gjitha vendeve për ta nënshkruar atë. Moratoriumet e njëanshme janë të dobishme, por ato nuk mund të zëvendësojnë përforcimin, konsolidimin ligjor ndërkombëtar të këtij angazhimi kyç për sigurinë globale”, -  tha Sergei Lavrov. Midis prioriteteve të tjera Kreu i MPJ të Rusisë përmendi respektimin e ndërgjegjshëm të Planit të veprimeve, i cili u miratua në konferencën e fundit në lidhje me Traktatin mbi mospërhapjen e armës bërthamore. Zgjerimi i aksesit në energjetikën atomike është i mundur vetëm me respektimin e rigoroz të Traktatit mbi mospërhapjen e armës bërthamore. Iniciativat ruse në lidhje me krijimin në territorin e saj të Qendrës për pasurimin e uraniumin nën kontrollin e ANEA-s i përgjigjen në masë të plotë një politike të tillë. Sergei Lavrov bëri thirrje për t’ia hyrë punës për përgatitjen e konferencës mbi krijimin në Lindjen e Mesme të zonës së lirë nga arma e shkatërrimit në masë. Gjatë kësaj nuk vërehet, tani për tani, domosdoshmëria e miratimit të rezolutës së re për Libinë, që është përfshirë aktualisht nga zjarri i luftës civile. Ministri i Jashtëm rus theksoi se potenciali i Konferencës së Gjenevës për çarmatimin, si platformës për përpunimin e vendimeve me rëndësi kyçe në sferën e sigurisë, deri tani nuk është shfrytëzuar plotësisht. Ndërkohë një sërë vendesh përpiqen, me anashkalim të konferencës, të fillojnë proceset vetiake negociatore. Ndërsa kjo mund të çojë në degradimin e sistemit shumëpalësh të çarmatimit. Realitetet e botës bashkëkohore në mënyrë mëse evidente po demonstrojnë rrezikshmërinë e një tendence të tillë.