Kreu i MPJ të Federatës Ruse Sergei Lavrov, gjatë fjalës së marrë sot në Gjenevë në sesionin e 16 të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, formuloi pozitën e Rusisë përkatësisht problemeve tejet të rëndësishme në këtë sferë. Kështu, ai deklaroi mbi palejueshmërinë e përdorimit të forcës ushtarake kundër popullsisë civile, siç ndodhi një gjë e tillë në Libi. Rusia kërkon ndalimin imediat të ushtrimit të dhunës ndaj popullsisë civile, theksoi Ministri rus Lavrov. Duke folur mbi atë ç’ka po ndodh këto kohët e fundit në Lindjen e Mesme dhe në vendet e Afrikës Veriore, në tërësi, ai deklaroi, se këto ngjarje zbuluan një plast jashtëzakonisht të madh problemesh të grumbulluara prej shumë dekadash me radhë, para së gjithash, varfërisë, papunësisë, ndërhyrjes nga jashtë si dhe mosgarantimit të të drejtave sociale dhe ekonomike të njeriut. “Këto probleme duhet të zgjidhen nga vetë popujt e këtyre vendeve, pa shtrëngim e ndërhyrje nga jashtë, me mënyra paqësore dhe brenda kuadrit ligjor, nëpërmjet dialogut kombëtar dhe arritjes së mirëkuptimit, konsensusit social në lidhje me rrugët e zhvillimit të reformave të vonuara”, - nënvizoi pozitën e Moskës Ministri i Jashtëm Lavrov. Ai tërhoqi gjithashtu vemendjen e pjesëmarrësve të sesionit të 16 të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut ndaj atij fakti, se disa vende refuzojnë të mbështesin në OKB rezolutën e drejtuar për parandalimin e tentativave që synojnë shtrembërimin e përfundimeve të Luftës së Dytë Botërore. Me iniciativën e Rusisë Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton çdo vit rezolutën,  e cila bën thirrje për ti prerë rrugën përpjekjeve të tilla, -kujtoi ai. “Është vërtet për të ardhur keq nga fakti, se disa vende druhen ta miratojnë atë duke u referuar, për justifikim, tek e liria e fjalës, - tha Ministri Lavrov. - Në Rusi e quajnë tejet të rrezikshme një pozitë të tillë: të gjithë nuk duhet të harrojnë kurrsesi se në ç’rezultat solli “druajtja” (të qenit fort të turpshëm) në vitet 30 të shekullit të XX. Janë krejtësisht të palejueshme përpjekjet për vënien e shenjës së barazisë midis viktimave dhe xhelatëve, çlirimtarëve dhe agresorëve, për vënien në dyshim të vendimeve të Gjykatës së Nurembergut. Të gjitha këto krijojnë terren të favorshëm, ushqyes për të gjithë ata që përpiqen të mbjellin, të përhapin ideologji të reja mizantrope”, - theksoi ai. Në fjalën e Lavrovit u prek edhe tema e garantimit të të drejtave të pakicave etnike. Ai, në veçanti kujtoi, se në Letoni dhe Estoni vazhdon të ruhet ende problemi i pa-nënshtetësisë (mosdhënies, mungesës së nënshtetësisë). “Është e domosdoshme të arrihet respektimi i plotë i rekomandimeve përkatëse të Këshillit të Europës, OSBE-së, Komitetit të OKB-së për eliminimin e diskriminimit racial”, - tha Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. Ai kujtoi, se aktualisht në Letoni jetojnë 350 mijë të ashtuquajtur “jo-qytetarë”, ndërkohë që ata përbëjnë 15,5% të popullsisë së vendit, kurse në Estoni - 105 mijë veta ose 9% e popullsisë.