Shkarko audiofailin


Nxënësit e shtëpive të fëmijës nuk mund të lihen në mes të rrugës: ata duhen mbështetur edhe pas përfundimit të shkollave-internate (institucione mësimore këto ku nxënësit përveç marrjes së arsimit edhe jetojnë. Ato shërbejnë për edukimin e fëmijëve të mbetur jetimë, për dhënien e ndihmës atyre që të fitojnë shprehitë e punës, përvojën e nevojshme të jetës, mbrojtjes sociale dhe zbulimin e gjithanshëm të aftësive krijuese të tyre. Fjala internat e merr prejardhjen nga latinishtja internus (brenda). Masat e nevojshme për këtë i diskutuan Avokati i Popullit për të drejtat e fëmijës pranë presidentit të Rusisë Pavell Astahov dhe homologu i tij norvegjez Paul Christian Bergstrom. Fëmijëve jetimë në Rusi u kushtohet një vemendje e madhe. Financimi për ta realizohet si nga ana e shtetit, ashtu dhe organizatave shoqërore. Një rol të madh luajnë edhe dhurimet, donacionet private, artistë e sportistë të njohur i vizitojnë herë pas here nxënësit e internateve. Të gjitha këto bëhen me qëllim që fëmijët, të cilët rriten pa familje, ta ndjejnë veten më pak të vetmuar. Por kjo është vetëm një pjesë e problemit. Pasi rritet e largohet nga internati adoleshenti jetim mund të ndodhet në mes të katër rrugëve. Ky është problem jashtëzakonisht serioz, thotë ombudsman rus Pavell Astahov: “- Mbështetja e fëmijëve, të cilët kanë dalë nga shtëpitë e fëmijës, por nuk mund të orientohen dot në jetën e zakonshme, siç e bëjnë pa problem këtë gjë fëmijët nga familjet normale, është një sferë jashtëzakonisht e rëndësishme. Norvegjezët ne na japin ndihmë të qenësishme këtu, por ne kemi gjithashtu edhe përvojën tonë. Atje ku zhvillohet një punë e tillë me të diplomuarit e internateve mbahen lidhje të ngushta. Dhe në qoftë se ndokush prej tyre ndodhet në situatë të vështirë, në qoftë se nuk ka punë, strehë mbi kokë, atëhere ai mund të rikthehet në internat. Sepse në to janë parashikuar vende për hotele sociale”, - thotë Pavell Astahov. Tani për tani probleme të kësaj natyre, më shpesh, zgjidhen në mënyrë individuale. Por në perspektivë programi i adaptimit postinternat duhet të bëhet sistem. Për Rusinë gjithashtu është e rëndësishme përvoja e Norvegjisë në sferën e reabilitimit të kriminelëve të mitur. Kjo metodë parashikon: që pak kohë para lirimit të burgosurit e mitur transferohen nga zona e izolimit në qendrën e rehabilitimit që ndodhet përtej territorit të kolonisë. Atje ata nuk janë të detyruar të mbajnë uniformën e ngujimit, ndërsa në vend të edukatorëve me ta punojnë psikologët dhe pedagogët, të cilët i përgatisin ata për tu ingranuar sa më lehtë me jetën në liri, atë normale të shoqërisë. Shpesh herë fëmijët kanë nevojë, thjesht, për mbështetje, thotë Pavell Astahov: “- Fëmijëve, që u ndodhën të tërhequr në sferën kriminale, ne duhet tu japim shans për ndreqje, korrigjim. Unë kam qenë tashmë në gjysmën e kolonive të kriminelëve të mitur në Rusi. Dhe dua të them se në shumë nga ato janë arritur rezultate të habitshme, mjaft impresionuese në çështjen e edukimit të shkelësve të mitur të ligjit. Ata e kuptojnë, e ndjejnë se nuk janë të humbur, të pashpresë, se nuk i duhen askujt në këtë jetë. Ata bëjnë shpesh herë mrekulli të vërteta, arrijnë suksese të ndjeshme.Vetëm se ata kanë nevojë për mbështetje dhe ndihmë”, - konkludon Pavell Astahov. Specialistët nga Norvegjia marrin pjesë në krijimin e qendrave të tilla rehabilituese në rajonin veriperëndimor të Rusisë. Pavell Astahov vuri në pah rëndësinë e asaj se norvegjezët nuk përpiqen të imponojnë përvojën e tyre, por ndihmojnë për adaptimin e saj me realitetet ruse. Kurse në një kohë të afërt në Republikën e Karelisë, në Petrozavodsk, mund të duket qendra e metodologjisë, në të cilën pedagogët norvegjezë do të ndajnë përvojën e tyre me kolegët rusë.