Në qendër të Moskës së shpejti do të duket godina e parë ekologjike e banimit, e ndërtuar sipas kërkesave më të larta ekologjike dhe me aplikim të pajisjeve energjikursyese. Projekti i ri mund të hapë një epokë të re në ndërtimin e godinave industriale dhe godinave të banimit në Rusi. Kjo ide është e ngjizur me parimin e të ashtuquajturave “godina pasive”, të cilat në mënyrë ideale paraqesin në vetevete sisteme të pavarura energjie dhe praktikisht nuk kërkojnë shpenzime për ruajtjen e temperaturës komforte në to. Sistemi i ngrohjes qendrore në godina të tilla realizohet falë ngrohtësisë që buron, lëshohet nga njerëzit, pajisjeve e aparaturave shtëpiake dhe burimeve alternative të energjisë. Ndërsa furnizimi me ujë të ngrohtë realizohet me anë të përdorimit të instalimeve të energjisë së ripërtëritshme. Iniciator i ndërtimit të godinës ekologjike të banimit është Fondi Word Wildlife i Rusisë. Në kushtet klimatike ruse është shumë vështirë të hiqet dorë plotësisht nga sistemi i furnizimit me ngrohje. Por falë zgjidhjeve të mençura inxhinierike mund të realizohen shumë ide të mrekullueshme. Në këtë projekt do të vihen në përdorim dy lloj teknologjish, të cilat nuk janë shfrytëzuar kurrë ndonjëherë më parë në Rusi. Për sistemin e ventilimit dhe atë të sigurimit të ngrohjes shfrytëzohen kanalet e ajrimit, të cilat shtrohen nën tokë. Sepse temperatura në thellësinë disa metra nën tokë në dimër është më e lartë, kurse në periudhën e verës më e ulët se në rrugë. Një inovacion tjetër i këtij projekti është sistemi i autoklavizimit dhe ripërdorimit të  mbetjeve në kanalizimet e ujërave të ndotura (të zeza). Me ndihmën e këtij sistemi uji i dusheve dhe lavamanëve do të grumbullohet në kontenierë të veçantë dhe do të pastrohet, purifikohet deri në gjendjen teknike që të mund të përdoret sërish për nevojat e përditshme të banorëve të kësaj godine. Kosto e godinës ekologjike të banimit është llogaritur në 2,5 milionë euro. Specialistët konfirmojnë me bindje të plotë, se në godina të tilla rritet edhe produktiviteti i punës së punonjësve që jetojnë në to.