Sot, më 23 shkurt, në Rusi kremtohet “Dita e Mbrojtësit të Atdheut”. Si festë zyrtare kjo ditë u sanksionua që në vitin e largët 1922 dhe atëhere ajo quhej “Dita e Ushtrisë së Kuqe”. Më vonë 23 shkurti kremtohej në Bashkimin Sovjetik si festë mbarëkombëtare dhe quhej “Dita e Ushtrisë Sovjetike dhe Flotës Ushtarako-Detare”. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik ajo u riemërua në festën “Dita e Mbrojtësit të Atdheut”. Aktivitetet festive me rastin e 23 shkurtit zhvillohen në mbarë vendin. Në Moskë kremtimi i festës fillon me vendosjen e kurorave dhe buqetave me lule të freskëta tek kompleksi përkujtimor i quajtur “Varri i Ushtarit të Panjohur” pranë mureve të Kremlinit. Në mbrëmje në shumë qytete ruse hidhen fishekzjarre festive. Për disa njerëz festa e 23 shkurtit mbetet dita e burrave, të cilët shërbejnë në ushtri ose në gjithfarë strukturash të tjera ushtarake. E megjithatë, shumica e qytetarëve të Rusisë dhe vendeve të ish Bashkimit Sovjetik janë të prirur ta vlerësojnë “Ditën e Mbrojtësit të Atdheut” si Ditën e burrave të vërtetë - mbrojtësve në kuptimin më të gjerë e më të plotë të kësaj fjale. Anketimi i paradokohshëm sociologjik që u zhvillua nga Home Credit & Finanve Bank tregoi qartë, se qytetarët rusë e vlerësojnë këtë ditë si festë të përgjithshme të burrave. Dhe vetëm 17% e tyre e quajnë 23 shkurtin festë “profesionale” të ushtarakëve.