Statuja e pionierit, udhëçelësit të parë të Universit Juri Gagarin do të vendoset në Londër për nder të 50 vjetorit të fluturimit të parë të njeriut në kozmos. Për këtë njoftoi Ministri i arsimit dhe shkencës i Britanisë së Madhe David Willetts pas nënshkrimit në Moskë të marrëveshjes mbi zhvillimin në 2011 të Vitit ruso-britanik të Kozmosit. “Vetë fakti që mu në qendër të Londrës do të ngrihet statuja e Gagarinit është eveniment i madh!”, - tha Kreu i Agjencisë Federale Kozmike ruse “Roskozmos” Anatoli Perminov. Ai vuri në dukje, se gjatë vitit 2011 palët kanë planifikuar zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta si dhe nënshkrimin e dokumentit mbi bashkëpunimin në sferën e kozmosit. Britania e Madhe ishte ndër vendet e para të huaja që u vizitua nga Juri Gagarini shumë shpejt pas fluturimit të tij kozmik. Kjo vizitë u realizua në korrik të vitit 1961. Agjencitë ruse dhe britanike propozuan kremtimin e 50 vjetorit të kësaj vizite të paharruar. Në lidhje me këtë datë në korrik të vitit në vazhdim do të organizohen jo thjesht aktivitete jubilare, por do të përcaktohen gjithashtu edhe drejtimet e bashkëpunimit të mëtejshëm midis Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut dhe Agjencisë Federale Kozmike ruse. Në këtë bashkëpunim do të ingranohen ndërmarrjet, organizatat e industrisë kozmike ruse si dhe firmat britanike. Është mjaft simbolik fakti, se pikërisht në vitin e Gagarinit do të ndodhë formalizimi i marrëdhënieve midis Rusisë dhe Britanisë së Madhe për bashkëpunimin në sferën e kozmosit. Në Britani, në kuadër të Vitit të Kozmosit, është organizuar Internet-projekti YuriGagarin50. Ideatorët e tij iu drejtuan me lutjen dëshmitarëve okularë të vendit që të ndajnë me ta përshtypjet nga takimi i tyre me Juri Gagarinin gjatë kohës së vizitës së tij në Britaninë e Madhe në korrik të vititi 1961 dhe të dërgojnë fotografitë që disponojnë në lidhje me këtë eveniment. Shoqëria Mbretërore Astronautike planifikon të organizojë në Londër konferencën për nder të Juri Gagarinit, në të cilën do të ftohen për pjesëmarrje shkencëtarë rusë.