Shkarko audiofailin


Më 17 shkurt, me iniciativën e organizatave bamirëse ndërkombëtare, kremtohet Dita e shfaqjes spontane të bamirësisë (Random Act of Kindness Day). Në Rusi bamirësia ka një historik të hershëm. Fillimisht qendrat e punëve të mira ishin manastiret: ato u jepnin strehë të vobektëve dhe jetimëve. Në to ndërtonin spitale e azile, mësonin shkrim e këndim. Gradualisht idetë e dhënies së ndihmës pa interes filluan të përhapen gjithnjë e më gjerësisht në gjirin e shoqërisë. Aty nga fillimi i shekullit të XX vetëm në Moskë ekzistonin 628 institucione bamirësie. Mbajtjen e tyre e financonin familja mbretërore, tregtarët dhe inteligjenca. Dhe kjo ishte një dukuri e përhapur në gjithë Rusinë, duhet thënë. Pas Revolucionit të Tetorit kjo traditë u ndërpre dhe u ringjall sërish vetëm në vitet 1990, tashmë në Rusinë e re. Aktualisht në vendin tonë veprojnë mijëra organizata bamirëse. Ato japin ndihmën e tyre në kurimin e fëmijëve, përkujdesen për të moshuarit ose realizojnë në jetë projekte sociale dhe arsimore. Këto vitet e fundit është shtruar shumë mprehtë problemi i emigrantëve: nga vendet e huaja fqinje dhe të largëta në Rusi vazhdojnë të vijnë njerëz të shumtë në kërkim të një jete më të mirë. Shpesh herë këta janë refugjatë nga zonat e konflikteve sociale apo ushtarake. Për më tepër se 20 vjet ata i ndihmon Komiteti “Ndihma civile”. Kjo organizatë i siguron të sapoardhurve ndihmën mjekësore, i ndihmon të sistemohen në punë. Ja se ç’tregon Drejtuesja e kësaj organizate bamirëse Svetllana Gannushkina: “- Bamirësia është një punë e mirë edhe për personin që e bën atë, edhe për atë që ka nevojë për të. Fondet dhe organizatat e bamirësisë sigurojnë ato sfera të jetës së shoqërisë, të cilave nuk i mjafton mbështetja nga ana e shtetit. Mendoj se kjo është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme”, - tha Svetllana Gannushkina. Por jo vetëm organizatat dhe fondet speciale merren me veprimtari bamirëse. Shembull konkret i kësaj janë historitë e vitit të kaluar me zjarret në Rusi, kur shumë veta shfaqën gatishmërinë e vet për të ndihmuar njerëzit që e pësuan keq prej fatkeqësisë natyrore. Disa niseshin për të marrë pjesë në shuarjen e zjarreve, disa të tjerë mblidhnin mjete financiare për ata që mbetën pa strehë mbi kokë prej zjarreve për të blerë veshje për ta, për ti siguruar mjete për jetesë atyre. Shumë të tjerë u shprehën të gatshëm për ti strehuar në shtëpitë e veta njerëzit të cilëve iu bënë shkrumb e hi shtëpitë. Bamirësia nuk do të thotë medoemos ndonjë vepër me përmasa të mëdha. Punë të mira mund të bëjë gjithkush që dëshiron. Bile edhe të dhuruarit e buzëqeshjes kalimtarit që ndesh në rrugë gjithashtu është një veprim dashamirës. Të gjithë duhet të përpiqen të jenë zemërgjerë ndaj njerëzve që i rrethojnë, shprehen me bindje të plotë themeluesit e Ditës së Bamirësisë. Dhe duhet ta bëjnë këtë natyrshëm, në mënyrë të pakufijshme dhe pa interes. Ndërsa si devizë e kësaj feste të mrekullueshme, humane mund të shërbejnë për mrekulli fjalët e shkrimtarit të njohur amerikan Mark Twain: “Bamirësi është ajo që mund të shihet nga i verbri dhe të dëgjohet nga i shurdhëri”.