Shkarko audiofailin


3 vjetët e pavarësisë së Kosovës nuk i sollën krahinës as lulëzim e begati, as demokraci dhe as njohje reale ndërkombëtare. Në shtypin botëror po vazhdon diskutimi i rezolutës së paradokohshme të PACE, prej së cilës rrjedh, se Kryeministri kosovar Hashim Thaçi dhe njerëzit e rrethit të tij të afërt janë implikuar në krijimin e burgjeve sekrete në krahinë, trafikimin e organeve njerëzore, armëve dhe drogës. Bile dhe mbështetësit perëndimorë të pavarësisë së Kosovës po fillojnë të flasin gjithnjë e më shpesh tani mbi Prishtinën si për një “vrimë të zezë” ose bile si për “geton e Europës Juglindore”. Në vendin ku gjysma e njerëzve të aftë për punë nuk kanë mundësi të punësohen, fluksi i personave që dëshirojnë, më shpesh me rrugë ilegale, të largohen jashtë shtetit nuk po reduktohet që nga momenti i vetëshpalljes së pavarësisë. Problemi kryesor konsiston në atë, se aktualisht Kosova po tronditet nga skandalet e brendshme dhe ato ndërkombëtare, mendon eksperti i Institutit rus të Sllavistikës Pjotër Iskenderov: “- Në vetë këtë krahinë nuk u formua që nuk u formua dot deri tani një qeveri e aftë për punë, megjithëse zgjedhjet u zhvilluan që në dhjetor të vitit 2010. Marrëdhëniet reciproke midis partive kryesore të shqiptarëve kosovarë aktualisht janë ashpërsuar si kurrë ndonjëherë më parë. Po vazhdojnë akuzat e ndërsjellta, shpallja e ultimatumeve, shantazhi, dhe duket në mënyrë mëse evidente se qeveria, bile edhe në qoftë se do të arrijë të formohet, nuk do të jetë e aftë për punë. Është plotësisht e mundur të parashikohet ashpërsimi i luftës midis partive kryesore të shqiptarëve kosovarë dhe klaneve politiko-ushtarake që qëndrojnë pas tyre”, - tha eksperti Pjotër Iskenderov. Me sa duket nga të gjitha, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi nuk i justifikoi shpresat e lidhura me të të këshilltarëve dhe mbrojtësve të tij perëndimorë. Duke gjykuar nga raporti i janarit i deputetit zviceran Dick Marty në PACE, Kosova u shndërrua në njëfarë “rezervati, fidanishte për kriminalitetin”. Siç konfirmohet në raportin e tij, Hashim Thaçi dhe njerëzit e rrethit të tij të ngushtë për shumë vite me radhë kanë kryesuar grupimin kriminal të udhëhequr prej tij me emrin “Drenica”. Përveç trafikimit të organeve njerëzore (kryesisht të serbëve), ai është marrë gjithashtu edhe me trafikim ilegal armësh dhe kontrollimin e pjesës së konsiderueshme të narkotrafikut ballkanik. Aktualisht Misioni i BE në Kosovë (EULEX) po tenton të marrë mbi vete hetimin e mëtejshëm me qëllim që ta pengojë, ta frenojë fare atë, mendon Pjotër Iskenderov. Zhvillimi i mëtejshëm i situatës në Kosovë, supozon ai, në shumë gjëra do të varet nga dëshira e fuqive kryesore perëndimore, nën protektoratin e të cilave dhe ndodhet de-fakto Kosova, për ti vënë kufirin tek thana partnerëve të vet shqiptarë kosovarë duke distancuar nga pushteti figurat më odioze. Dhe këtu nuk mund të mos sillet ndërmend gjenocidi ndaj popullsisë serbe të Kosovës, si rezultat i të cilit krahinën u detyruan ta braktisin rreth 280 mijë serbë kosovarë. Në Kosovë, e cila që nga shekulli i XIII ka qenë qendër e kulturës orthodhokse serbe, u shkatërruan gati 150 tempuj dhe kisha të krishtere. Të gjitha këto konfirmojnë edhe një herë të vërtetën e moçme të urtë: se mbi fatkeqësinë e tjetrit nuk mund të ndërtosh lumturinë tënde.