Shkarko audiofailin


Kulti Individit. Ky togfjalësh hyri në përdorim në jetën e përditshme dhe në historinë e Bashkimit Sovjetik në vitin e largët 1956 pas Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste. Kongresi i radhës, i cili filloi më 14 shkurt, fillimisht nuk premtonte kurrfarë trazirash, tronditjesh serioze. Rrufeja  goditi në ditën e 12 të tij, kur në mbledhjen me dyer të mbyllura me kritikë në adresë të Stalinit, i cili cilësohej deri në atë kohë si i pamëkatë, doli Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Ky ishte i vetmi raport në historinë e kongreseve partiake që përfundoi me heshtje varri. Për 4 orë me radhë Nikita Krushov akuzoi Stalinin për represione të panumërta, metoda të paligjshme të zhvillimit të hetimeve, deportimin (dëbimin) e popujve kaukazianë, të akuzuar padrejtësisht, në mënyrë të pathemeltë për bashkëpunim me fashistët gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore. Kritikës iu nënshtrua edhe figura e Stalinit - Kryekomandantit të madh. Mbi të bie gjithë përgjegjësia për humbjet që pësoi Ushtria Sovjetike në periudhën e viteve 1941-1942, konfirmonte Krushovi. Raporti i tij shkaktoi tek gjithë të pranishmit një shok të vërtetë. Deputetët ruanin heshtjen, kurrfarë debatesh nuk u hapën. Vendimi i Kongresit në lidhje me raportin e Krushovit u formulua me një frazë të vetme: “ Pas dëgjimit... e miraton... të zbatohen të gjitha masat që sigurojnë kapërcimin e këtyre shtrembërimeve, pasojave të lidhura me kultin e individit”. Menjëherë pas Kongresit të XX-të filloi lirimi në masë i njerëzve nga burgjet dhe kthimi i të tjerëve nga internimet. U krijuan komisione speciale që filluan të merreshin në vend me çështjet e të përndjekurve. Dhe tashmë aty nga fundi i vitit 1956 në shtëpitë e veta u kthyen rreth 1 milionë persona. Disa prej tyre u përpoqën të luftojnë për rivendosjen e drejtësisë historike, për ndëshkimin e atyre që ishin fajtorë, përgjegjës për fatin e tyre të rëndë, tejet të vështirë. Por udhëheqja e partisë me në krye Krushovin nuk mundi të ndërmarrë një hap të tillë. Askush prej tyre nuk dëshironte që akuzat e shprehura në adresë të Stalinit të përshkallëzonin në kritikë të gjithë sistemit politik, thotë historiani Boris Ilizarov: “ - Kjo kishte të bënte vetëm me figurën e vetë Stalinit. Njerëzit që e rrethonin atë mbetën në hije. Bile më tepër se kaq, vetë Krushovi thoshte gjithmonë: “Ne nuk dinim asgjë për të gjitha këto, çdo gjë bëhej me urdhërin personal të Stalinit”. Por në këto fjalë dukej sheshit një dhelpëri, dredhi e caktuar, meqenëse ata jo vetëm që ishin në dijeni të të gjitha këtyre mizorive, por dhe vetë ishin të implikuar në veprimtari kriminale. E megjithatë Kongresi i XX-të u bë një ngjarjeje me rëndësi kthese rrënjësore në historinë e shtetit sovjetik. Ky Kongres u bë tentativa e parë për distancimin nga sistemi totalitar”, - tha historiani Boris Ilizarov. Me kalimin e  gjysmë shekulli historianët vazhdojnë ende të debatojnë në lidhje me atë, se çfarë pati më shumë në veprimin e sipërpërmendur të Krushovit - luftë për pushtet apo dëshirë për pendesë? Dhe si zor që ata të arrijnë ndonjëherë në një mendim unanim në lidhje me këtë. Por e rëndësishme është megjithatë diçka tjetër: Krushovi 55 vjet më parë i lejoi vetes një hap demokratik në shoqërinë e atëhershme ende totalitare. Përsa i përket vlerësimit të Kultit të Individit të Stalinit në Rusinë bashkëkohore, deklaratë mjaft domethënëse u bë ajo e Presidentit Dimitri Medvediev. “Deri tani vazhdojnë të qarkullojnë e të dëgjohen fjalë të tilla, se viktimat e shumta në numër të asaj periudhe ishin të justifikuara me disa objektiva të larta shtetërore. Unë jam mëse i bindur, se kurrfarë zhvillimi i vendit, kurrfarë suksesesh, ambiciesh të tij nuk mund të arrihen me çmimin e lartë të hidhërimit njerëzor dhe humbjeve njerëzore. Asgjë nuk mund të krahasohet me vlerën e jetës njerëzore. Dhe represionet nuk kanë të justifikuar”.