Shkarko audiofailin


Specialistët gjermanë do të ndërtojnë qendrën e trajnimit luftarak të trupave ruse. Ekspertët venë në dukje se krijimi i një qendre të tillë do të lejojë modelimin e çfarëdolloj situate taktike në fushën e betejës dhe vlerësimin objektiv të veprimeve të efektivit të trupave. Qendra do të krijohet në territorin e poligonit ushtarak Mulino, nën Njizhnij Novgorod. Ajo do ti përgjigjet kërkesave më bashkëkohore të trajnimit të trupave me përbërje deri në një brigadë (2-8 mijë veta). Marrëveshja mbi fillimin e projektimit të poligonit u nënshkrua në Moskë midis Ministrisë së mbrojtjes së Rusisë dhe koncernit gjerman të mbrojtjes Rheinmetall. Zgjedhja e bërë në favor të specialistëve gjermanë është plotësisht e justifikuar, vuri në dukje në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Kryeredaktori i revistës «Национальная оборона» (“Mbrojtja kombëtare”) Igor Korotçenko: “- Forcat e armatosura të Gjermanisë aktualisht shfrytëzojnë metodat, praktikat më të avancuara të trajnimit të efektivit të tyre. Në këtë mënyrë Rusia merr akses në metoda të tilla, në vetë procesin e modelimit të betejës së kombinuar moderne të trupave të ndryshme dhe trajnimin e komandantëve dhe efektivit të trupave. Me fjalë të tjera, do të bëhet i mundur modelimi i sjelljes, veprimit në fushën e betejës në kushte maksimalisht të ngjashme me ato reale luftarake”, - tha Igor Korotçenko. Bashkë me këtë nuk duhet menduar aspak se Rusia ka ndërmend të kalojë tek standartet që veprojnë në ushtritë e vendeve të NATO-s, theksoi Igor Korotçenko: “- Fjalë nuk bëhet për trajnimin e trupave ruse në përshtatje me standartet e NATO-s, sepse ne kemi bazat tona ruse të planifikimit dhe zhvillimit të operacioneve luftarake. Standartet tona nuk përkojnë me ato natoviane. Në rastin konkret fjalë bëhet mbi metodat më të avancuara të trajnimit të efektivit të trupave, kur shfrytëzohen aktivisht mjetet multimediatike, praktikat e modelimit, mjetet e pasqyrimit të situatës taktike në fushën e betejës.  Domethënë, fjalë bëhet mbi aksesin në teknologjitë e avancuara të planifikimit dhe drejtimit të betejës së trupave të kombinuara në kushte bashkëkohore”, - tha Igor Korotçenko. Dhe ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit. Ekspertët nuk përjashtojnë edhe mundësinë e asaj që në një kohë të afërt koncerni gjerman i mbrojtjes Rheinmetall të fillojë furnizimin në Rusi të komplekseve të lëvizshme për utilizimin e municioneve.