Egjipti është përfshirë nga një valë e re krize. Kërkesat e opozitës u përmbushën, por demonstratat vazhdojnë ende. Veprimi i Kushtetutës së Egjiptit është pezulluar. Është shpërndarë parlamenti, drejtuesit e ushtrisë me në krye Ministrin e mbrojtjes Mohamed Hussein Tantawi kanë marrë përsipër të drejtën për përmbushjen e çdo lloj ligji. Në konferencën e vet të parë për shtyp Kryeministri Ahmed Shafik shpalli, se qeveria e tij është vetëm zbatuese e pushtetit të ushtarakëve. Por këta të fundit nuk mund të qetësojnë trazirat në vend. Në Kairo përsëri dëgjohen të shtëna. Grevat kanë përfshirë gjithë kryeqytetin. Kërkesa kryesore e të gjithve është ngritja e pagës dhe zgjidhja e problemit të papunësisë. Me një fjalë, ndodhi pikërisht ajo, që i trembeshin shumë: dorëheqja e Presidentit nuk e normalizoi situatën në egjipt. Kuptohet, se fqinjët e Egjiptit, si dhe në vigjilje të dorëheqjes së Mubarakut, përsëri ngrinë në pritje të ndryshimeve të reja. Në veçanti, Ministri i mbrojtjes i Izraelit Ehud Barak tani për tani nuk shikon në këto procese, që po ndodhin në Egjipt, rrezik real për vendin e vet. Ndërkaq ai këshilloi ushtarakët egjiptianë të mos nxitohen me zgjedhjet, pasi ka shumë mundësi që kjo gjë të përfundojë me ardhjen në pushtet të islamistëve radikalë. Kjo gjë “do të jetë katastrofë e vërtetë për të gjithë rajonin”, u shpreh Ehud Barak. Sido që të jetë, marrëdhëniet e Egjiptit me Izraelin tashmë nuk do të jenë të tilla, si gjatë udhëheqjes së Mubarakut, mendon eksperti i Institutit të Orientalistikës Vladimir Ahmedov: “Këto marrëdhënie do të ndryshojnë. Po ashtu për ushtarakët në Egjipt do të jetë e vështirë, le të themi, të bllokojnë Sektorin e Gazës. Nën ndikimin e ngjarjeve në Egjipt do të ndryshojë situata edhe në vendet e tjera arabe. Këtu, sigurisht, shumë varet nga Izraeli. Atë politikë, që ai ka zhvilluar në Lindjen e Mesme, duke u bazuar shumë, meqë ra fjala, mbi regjimin e Hosni Mubarakut, aktualisht do të jetë e vështirë ta mbështesë, për të mos thënë që do të jetë e pamundur. Izraelit tashë i duhet të mendojë seriozisht për atë, se mbi çfarë kompromisesh ai mund të shkojë falë procesit për negociata paqësore me arabët”, u shpreh eksperti. Rusia, pavarësisht nga destabiliteti politik në Lindjen e Mesme, do të mbështesë arritjen e paqes midis arabëve dhe Izraelit. Në lidhje me këtë deklaroi Përfaqësuesi special i Presidentit të Federatës Ruse për Lindjen e Mesme Aleksandër Saltanov. Diplomati përmendi, se Rusia gëzon një dialog shumë të mirë me Izraelin, dhe me botën arabe, prandaj mund të ndihmojë realisht, që ndryshimet në rajon të realizohen pa kurrfarë tronditjesh të mëdha.