Teza mbi bashkekzistencën e paperspektivshme të kulturave të ndryshme është krejtësisht e papranueshme për Rusinë, deklaroi sot Presidenti Dimitri Medvediev në Këshillin e Shtetit, kushtuar problemeve ndëretnike, në kryeqytetin e Republikës së Bashkortostanit - Ufa. Me këtë ai prishi tingëllimin e korit të politikanëve europianë, të cilët jo shumë kohë më parë filluan të shprehen në unison mbi dështimin e politikës botërore të multikulturalizmit. E para e bëri këtë Kancelarja e RFGJ Angela Merkel, kur iu drejtua me thirrjen emigrantëve që të përshtaten, të adaptohen me zakonet e traditat europiane. Pak më vonë po për këtë filluan të flasin ish kryeministrat e Australisë dhe Spanjës, përkatësisht, John Howard dhe José María Aznar. Disa ditë më pas Kryeministri britanik David Cameron e quajti të dështuar politikën e multikulturalizmit, duke bërë thirrje për forcimin e tendencës së integrimit të të rinjve myslimanë në shoqërinë britanike, si masë parandaluese për zhvillimin e ekstremizmit në vend. Presidenti francez Nicolas Sarkozy tha, se Franca nuk ka ndërmend të ndryshojë mënyrën e vet të jetesës dhe ti përshtatet traditave të emigrantëve. Kurse Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev deklaroi në mbledhjen e Këshillit të Shtetit, se me disfatën e multikulturës mund të zhduken traditat, ndërsa kjo është një gjë shumë e rrezikshme dhe këtë gjë duhet ta perceptojnë gjithashtu qartë në shtetet europiane: “- Në Europë është bërë e modës të flitet mbi disfatën e politikës së multikulturalizmit. Sikur, gjoja, kjo nuk është ajo rrugë e cila çon në arritjen e zhvillimit harmonik të kulturave të ndryshme në një vend të vetëm, ku ekziston etnosi kryesor vendas. Dhe do të ishte mirë sikur të gjitha kulturat e tjera të zhvilloheshin vetëm në brazdën e traditave dhe vlerave të këtij etnosi kryesor. Unë mendoj se për Rusinë një gjë e tillë do të ishte humbje e madhe, domethënëse, pavarësisht nga ai rol që luan kultura ruse. Po, vërtet, është e domosdoshme të respektohen traditat themelore të vendit, të gjithë ata që vijnë tek ne duhet të zotërojnë gjuhën tonë shtetërore - rusishten. Por në të njëjtën kohë në shtetin tonë, si në asnjë vend tjetër, ekziston përvoja unikale e bashkëjetesës dhe zhvillimit të etnoseve dhe kulturave të ndryshme, të cilat kanë pasuruar gjatë shekujve me radhë njëri-tjetrin dhe kanë ndihmuar njëri-tjetrin në periudhat më dramatike të zhvillimit të vet. Nuk duhet të humbasim atë që u krijua gjatë viteve të shkuara. Rusia nuk do të mund të ruhet dot si shtet pa unitetin ndëretnik, - theksoi Presidenti Medvediev. Ai e quan të domosdoshme që udhëheqësit e subjekteve të Federatës Ruse ta vërejnë problemin që ka të bëjë me ruajtjen e unitetit ndëretnik si çështjen më të rëndësishme të veprimtarisë së vet.