Zëri i Rusisë Në mbrëmjen e 11 marsit të vitit 1801 në Shën Peterburg u mblodhën në një darkë konspirative pjesëmarrësit e komplotit kundër Perandorit Paul Parë. U pi shumë verë gjatë saj dhe disa nga komplotistët bile u dehën keq. Me të mbaruar darka të gjithë pjesëmarrësit e këtij komploti u nisën për në pallatin perandorak. Pasi thyen rezistencën e rojeve dhe gardës mbretërore ata si të tërbuar shkuan drejt e në kabinetin e Paul-it Parë. Perandori, i cili refuzoi të heqë dorë nga froni, u mbyt prej tyre me egërsi të paparë. Kurse popullit iu njoftua se sovrani vdiq nga iktusi cerebral (infarkti, goditja apoplettike)...

Perandori Paul Parë, i cili drejtoi Rusinë vetëm 4 vjet (nga fundi i shekullit të XVIII deri në fillim të shekullit të XIX) ishte një nga monarkët më të pazakontë rusë. Dikush e karakterizon atë si despot kapriçioz gjysmë të çmendur. Disa të tjerë e vlerësojnë si fisnik, romantik të pakuptuar nga askush.

Jeta e Paulit ngjasonte me orën e kurdisur: gjithçka e bënte me punktualitet të madh në të njëjtën orë. Ai çohej herët në mëngjes, pinte kafenë dhe në orën 6 priste në kabinetin e vet gjeneral-guvernatorin e Shën Peterburgut për raportim. Pasi u bë perandor ai u përpoq ti mësojë të gjithë oborrtarët dhe njerëzit e suitës së vet të hanë drekë bashkë me të në orën 13.00.

Njëherë, pasi kishte ngrënë drekën, sigurisht fiks në orën 13.00, Perandori që po shëtiste nëpër Ermitazh doli në ballkon dhe dëgjoi një tingëllim këmbane. Siç u bë e ditur, kjo ishte këmbana e baroneshës Stroganova që ftonte mysafirët për drekë. Perandori u zemërua, u indinjua fort nga fakti se baronesha drekon kaq vonë, në orën 15.00, dhe dërgoi urgjentisht tek ajo oficerin e policisë së vet me urdhëresën që e obligonte atë të hante që këtej e tutje drekën fiks në orën 13.00. Në shtëpinë e baroneshës kishte plot mysafirë kur atë e njoftuan për ardhjen e policit. Vetëm frika për tu bërë pre e zemërimit të perandorit e frenoi të zonjën e shtëpisë që të mos ia plaste gazit me të madhe në prani të mysafirëve. Bile dhe vetë oficeri që i solli urdhëresën asaj i zënë ngushtë mezi e mbante të qeshurën. Por, me hir apo me pahir, urdhëri i monarkut duhej zbatuar.

Përsa i përket Perandorit, ai e kishte bërë zakon ta hante drekën rreth një tryeze me gjithë pjesëtarët e familjes së vet. Zakonisht gjatë drekës në tavolinë mbretëronte heshtja e plotë, të cilët mund ta thyente vetëm vetë monarku.

Në orën 21.00 të mbrëmjes Paul Parë hante darkën, kurse në 22.00 ai kishte rënë në gjumë.

Perandori Paul ishte kundërshtar i luksit të tepruar dhe dallohej për maturi të rrallë në ngrënie dhe në të pirë. Dreka e Paul-it të Parë, siç dëshmojnë njerëzit që e njihnin fort mirë nga afër atë, përbëhej nga uji i pastër i lumit Neva dhe 2-3 pjata me gatime shumë të thjeshta, por me ushqim të shëndetshëm. Gatimi më i preferuar për Perandorin ishte lakra e buburitur ose arme me salçiçe.

Pas grushtit të shtetit në pallatin mbretëror, që i preu fillin e jetës Perandorit Paul Parë, gjatë drejtimit të djalit të tij Aleksandër Parë u la krejtësisht në harresë tradita e të ngrënit të drekës njëkohësisht me monarkut e shtetasve të tij fiks në orën 13.00. Njerëzit filluan të drekojnë kur ti vinte më për mbarë.