Zëri i Rusisë Komuniteti ndërkombëtar duhet të konsolidojë forcat e veta në luftën kundër terrorizmit, deklaroi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev. Sipas fjalëve të tij, është e rëndësishme të ushtrohet ndikim i qenësishëm në rrënjët social-ekonomike të terrorizmit. “Me tragjedinë që po përjeton aktualisht Rusia mund të ndeshet çdo vend i botës”, - tha ai. Medvediev mendon se nuk ekzistojnë receta universale të luftës kundër terrorizmit. Por arritja e suksesit në kundërshtimin e rrezikut të përgjithshëm varet nga solidariteti dhe veprimet e bashkërenditura të të gjithë anëtarëve të komunitetit  botëror, “veçanërisht tani, kur globalizimi e bëri të ndërvarur botën”. Dimitri Medvediev deklaron se efektiviteti i “Njëzetëshes së Madhe” duhet të rritet shumëfish dhe propozon që në mbledhjen e afërt të “G-20” të shqyrtohet çështja që ka të bëjë me parimet e reja të rregullimit të problemit të mbrojtjes së të drejtave në sferën e pronës intelektuale, në veçanti, në rrjetin Internet. Dimitri Medvediev shprehu shpresën, se procesi fort i zgjatur, i zvarrisur i hyrjes së Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) do të përfundojë në vitin 2011. “Rusia është e gatshme që prej kohësh për tu bashkuar me OBT-në. Unë jam i bindur se ky proces do të përfundojë më në fund gjatë vitit në vazhdim. Këtë ma kanë premtuar tashmë të gjithë partnerët, - tha Presidenti i Federatës Ruse Dimitri Medvediev. Mbas kësaj, - vazhdoi ai, - do të pasojë bashkimi i Rusisë me Organizatën e Zhvillimit ekonomik dhe Bashkëpunimit. Dhe, së fundi, ne po punojmë intensivisht për krijimin e hapësirës së përbashkët ekonomike me BE. Krijimi i saj do të bazohet mbi parimet e sigurisë së pandarë, lirisë së lëvizjes së njerëzve, kapitaleve dhe mallrave, mbi standartet unike teknike. Ne formuam Bashkimin Doganor me Bjellorusinë dhe Kazakistanin. Në mënyrë të përshpejtuar po formojmë me to edhe hapësirën unike ekonomike sipas modelit të ngjashëm me atë europian”.