Zëri i Rusisë Ndaj ish Presidentit të Irakut Saddam Hussen Abd al-Majid al-Tikriti njerëz të ndryshëm mbajnë qëndrime diverse. Disa e quajnë atë diktator të pamëshirshëm, satrap, ndërsa disa të tjerë - njeri të madh. Por ne do të bëjmë fjalë në materialin tonë jo për virtytet e cilësitë politike dhe njerëzore të tij, por mbi preferencat gastronomike të ish Presidentit të Irakut.

Njerëzit, të cilët e njihnin nga afër Saddam Hussen-in, thonë se ai ishte shumë i dhënë pas luksit në gjithçka, ndër të tjera edhe në kuzhinë. Në të ngrënë Saddami ishte nazeli i madh, si i thonë fjalës “kërkonte halën në përpeq, apo qimen në vezë”.

Saddam Husseni ishte qefli i madh të ngrënash, por gjatë kësaj nuk i shihte dot me sy shumë gatime europiane. Ndërkohë që adhuronte me gjithë shpirt kuzhinën tradicionale irakiane. Presidenti i Irakut preferonte zogjtë e pulës. Atij i pëlqenin shumë trangujt dhe domatet, hante me kënaqësi të madhe supën dhe nuk fuste në gojë ëmbëlsirat. “Gjella pa kripë dhe pa vaj - ah, sa e mirë që është! - shprehej jo rrallëherë ai. Sadami kishte dobësi të madhe për qumështin e devesë, për sigurimin e të cilit dërgonte njerëzit e vet në fshatrat e vogla të beduinëve (arabëve endacakë) jo larg Tikritit, vendlindjes së tij. Atij i pëlqente ta pinte këtë qumësht në mëngjes me bukë dhe me mjaltë. Saddam Husseni kishte qejf gjithashtu kosin e zënë me qumësht deveje.

Tregojnë se ai i jepte preferencë midis të tjerash mishit të gazelave. Për këtë qëllim ai merrej vetë me mbarështimin e këtyre kafshëve, i majmte e pastaj zgjidhte atë gazelë që i mbushte syrin, të cilën më pas të gatuar ia servirnin në tryezë. Në prill të vitit 2003, kur trupat amerikane ndërmorrën intervencionin në Irak, këmbësorët e marinës amerikane që u dislokuan në afërsi të Tikritit patën mundësinë të divesifikojnë racionin e ushqimit të ushtrisë me mish gazelash që mbaheshin në rezervatin personal të Liderit irakian.

Saddamit i pëlqente shumë ushqimi i gatuar nën qiell të hapur. Kishte dobësi të madhe ai edhe pijet alkoolike. Mishin dhe peshkun e gatuar në skarë ai i shoqëronte me verë rozë, zakonisht portugeze, ose me uiski amerikan. Bile më tepër se kaq, ngandonjëherë ai abuzonte fort me sasinë e uiskit. Pinte gjithmonë puro kubane.

Saddami i kishte të gjitha arsye që ti druhej atentatit ndaj jetës së vet, ndër të tjera edhe me anë të helmimit. Për shkak të kësaj frike ai gjithkund ku shkonte merrte me vete kuzhinierët e tij. Prandaj nuk të habit aspak fakti se ai kishte bile dhe personin e vet të besuar (ngjëruesin) që merrej me të provuarit e ushqimit, i cili luante njëkohësisht edhe rolin e truprojes. Ky i djalë i ri ishte i biri i kuzhinierit personal të Saddam Hussenit. Atë e priste më pas një fat mjaft tragjik - ai u rrah për vdekje nga i biri i Saddamit - Uday Hussein, për shkak të dyshimit që ra mbi të për thurje intrigash e komploti kundër të jatit.

Pas marrjes rob të Saddam Hussen prej amerikanëve, thonë se atë e mbajtën në burg në kushte mjaft të mira. Kuzhinierët i gatuanin atij dy lloj gjellësh - europiane dhe arabe, kurse Saddami zgjidhte vetë më pas se ç’donte të hante për drekë. Në menunë e diktatorit të përmbysur nga pushteti hyni bile edhe disa delikatesa të kuzhinës kombëtare, për shembull, mish qengji i gatuar me oriz sipas recetave vendase, ose peshk skare me zarzavate të pjekura. Të paktën, kështu njoftonin përfaqësuesit e pushtetit të ri.

Por sido që të jetë puna në të vërtetë, burgu është burg. Në vitin 2006 Saddam Husseni disa herë shpalli grevë urie. Në shkurt ai refuzoi ushqimin për 11 ditë. Në qershor filloi grevën e urisë në shenjë proteste kundër vrasjes së avokatit të vet. Saddami refuzoi të hajë mëngjesin që iu soll atij në qelinë e burgut dhe deklaroi se nuk do të fusë asnjë thërrime buke në gojë deri sa të mos i garantojnë sigurinë e jetës mbrojtësve të tij.

Është, vërtet, disi i pabesueshëm fakti se Saddam Hussen i arrestuar dhe i ngujuar të kishte një oreks të tillë kaq të mirë. Sepse ai nuk mund të mos e kuptonte se nga dënimi me vdekje atë mund ta shpëtonte vetëm ndonjë mrekulli. Por kjo mrekulli nuk ndodhi. Më 30 dhjetor të vitit 2006 ish Presidenti i Irakut u dënua me varje në litar. Disa orë para ekzekutimit Saddam Hussenit i sollën në qeli pulë me pilaf dhe një filxhan të madh me ujë të nxehtë e mjaltë. E tillë ishte tryeza e fundit e diktatorit të rrëzuar.