Zëri i Rusisë Në kryeqytetin rus dhe në qarkun e Moskës sot është shpallur Ditë Zie. Sot mbahet zi për 35 personat që gjetën vdekjen gjatë kohës së aktit terrorist në aeroportin kryeqytetas “Domodedovo” më 24 janar dhe u shprehen ndjenjat e keqardhjes dhe mbështetjes 180 të plagosurve. Autoritetet ruse tashmë deklaruan mbi dhënien e kompensimit monetar viktimave të aktit terrorist dhe familjeve të tyre. Hapi i radhës i përcaktuar prej tyre është kapja dhe ndëshkimi i fajtorëve. Sipas versionit të hetimit, shpërthimi në aeroport u krye nga një terrorist-kamikaze. Në sallën e mbërritjes së pasagjerëve të zonës së fluturimeve ndërkombëtare të aeroportit u mblodhën shumë njerëz në pritje të të ardhurëve. Dëshmitarët okularë konfirmojnë, se befas një burrë rreth 35-vjeçar, i cili ndodhej mu në mes së turmës, shqiptoi me zë të lartë emrin e vet, vendlindjen e tij - të cilat fatkeqësisht njerëzit e shokuar nuk i mbajtën mend. “Tani ju të gjithë do të vdisni” - këto ishin fjalët e fundit të tij, mbas të cilave pasoi shpërthimi. Mekanizmi shpërthyes, i mbushur me zara metalikë dhe copa kavo çeliku për intensifikimin e forcës goditëse, ndodhej ose i ngjeshur në trupin e tij, ose në çantën e dorës. Në mbështetje të këtij versioni dëshmon dyshemeja, e cila praktikisht nuk është dëmtuar fare, meqenëse vala goditëse e shpërthimit u përhap anash. Për këtë arsye koka e terroristit, e cila fluturoi tej, mbeti e paprekur. Tani fotografitë e saj dhe identikiti i terroristit janë vendosur në Internet dhe i janë dërguar të gjitha organeve përkatëse. Shërbimi Federal i Sigurimit dhe MPB të Rusisë u luten të gjithë atyre, që do ta identifikojnë këtë njeri, të japin dëshmi dhe të ndihmojnë hetimin. Shpresa të mëdha lidhin gjithashtu në grupin hetimor me videokamerat e vëzhgimit, të cilat janë vendosur gjithkund nëpër godinën e aeroportit. Me ndihmën e tyre parashikohet të rikonstruktohet portreti më i saktë i kriminelit dhe të evidentohen bashkëfajtorët e tij. Ekziston tashmë informacioni se në lidhje me çështjen e aktit terrorist janë shpallur në kërkim 3 persona. Dhimbjen e Rusisë e ndajnë me të shumë vende. Ndihmën e vet për hetimin e aktit terrorist ia propozuan Rusisë tashmë Interpoli, SHBA, Ukraina. Liderët botërorë, gjatë shprehjes së ngushëllimeve të veta të sinqerta viktimave të këtij akti terrorist monstruoz, theksuan gatishmërinë e vet për të luftuar bashkarisht kundër terrorizmit. Sipas faktit të shpërthimit në aeroportin “Domodedovo” u ngrit çështje penale mbi bazë të 3 neneve të Kodit Penal të Federatës Ruse: “Vrasje”, “Terorizëm” dhe “Trafikim i paligjshëm armësh”. Përveç kësaj u ngrit edhe një çështje tjetër penale: mbi mosrespektimin e masave të sigurisë në “Domodedovo”, theksoi Përfaqësuesi zyrtar i Komitetit Hetimor të Federatës Ruse Vladimir Markin: “- Do të verifikohen veprimet e drejtuesve, bashkëpunëtorëve të thjeshtë të organeve të punëve të brendshme në mjetet e infrastrukturën e transportit si dhe funksionarëve të tjerë të lartë, të cilët duhej të garantonin ruajtjen e rendit publik dhe të merrnin masat parandaluese. Hetimi do të verifikojë gjithashtu në mënyrë skrupuloze edhe rolin e bordit drejtues të aeroportit “Domodedovo”, çdo bashkëpunëtori të marrë në veçanti të shërbimit të sigurimit”, - tha Vladimir Markin. Për të qenë të drejtë duhet të vemë në dukje, në këtë rast, se mungesa e masave të duhura të sigurisë në zonën e mbërritjes së paragjerëve është karakteristike për aeroportet në mbarë botën. Ja se ç’thotë në lidhje me këtë Kryetari i Komitetit të Dumës Shtetërore për sigurinë Vladimir Vasiljev: “- Zona e mbërritjes së pasagjerëve, e ashtuquajtura zonë e pastër, pikërisht dhe quhet kështu sepse në të ekzistojnë kufij kontrolli të dukshëm dhe të padukshëm për syrin tonë. Dhe kjo zonë e aeroportit “Domodedovo” i përgjigjet në masë të plotë gjithë kërkesave përkatëse ndërkombëtare në planin e sigurisë. Akti terrorist ndodhi në zonë e aksesit të hapur. Ndërsa kjo zonë, siç konfirmojnë specialistët e nivelit ndërkombëtar, për fat të keq, është pika e dobët, e cënueshme e gjithë aeroporteve të botës”, - konkludon Vladimir Vasiljev. Përvoja e hidhur e Rusisë në planin e likuidimit të sulmeve terroriste i ndihmoi të gjitha shërbimet për të vepruar në mënyrë operative dhe cilësore. Dëshmitarët okularë pohojnë se panik të madh nuk pati. Për nxjerrjen e njerëzve nga zona e shpërthimit ndihmuan bashkëpunëtorët e aeroportit, milicët dhe qytetarët e thjeshtë që erdhën në ndihmë nga sallat e tjera. Mjekët e aeroportit erdhën në vendin e tragjedisë disa minuta pas shpërthimit. Shumë shpejt me ta u bashkuan brigadat e makinave të “Ndihmës së shpejtë” dhe ato të reanimacionit. Të plagosurit e parë u çuan në spital për gjysmë ore. Atje ata po i prisnin kirurgët dhe traumatologët. Medikamentet dhe gjaku për transfuzion në të gjitha spitalet ishin mëse të mjaftueshme. Pavarësisht nga ky fakt në pikat e dhënies të gjakut vërehen radhë të gjata dhuruesish vullnetarë. Me këtë gjest njerëzit duan të theksojnë solidaritetin e tyre dhe ti thonë “jo” të vendosur terrorizmit.