Zëri i Rusisë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen deklaroi, se ndarje e Kosovës nuk është aspak variant i pranueshëm për komunitetin ndërkombëtar, dhe i bëri thirrje Beorgadit dhe Prishtinës për bashkëveprim me qëllim të ruajtjes së stabilitetit në rajon, njoftoi më 21 janar gazeta kosovare “Koha Ditore”. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s komentoi gjithashtu edhe perspektivat e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. “Ne duhet të zgjidhim një sërë çështjesh praktike, gjë kjo që do ti shërbejë bashkëpunimit paqësor rajonal dhe do ti sjellë leverdi ekonomike gjithë njerëzve në Ballkanin Perëndimor”, - tha ai. Rasmussen i bëri thirrje Prishtinës për të inkurajuar decentralizimin dhe për të respektuar të drejtat e minoriteteve, kurse Beogradit - për tu përmbajtur nga hapat që mund të çojnë në destabilizimin e gjendjes në veri të Kosovës. Duke komentuar situatën e krijuar rreth zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit në Kosovë, të cilat iu nënshtruan kritikës së rreptë nga ana e komunitetit ndërkombëtar për shkeljet masive që patën vend gjatë zhvillimit të tyre, Rasmussen theksoi se organet pushtetore kosovare duhet të formohen mbi bazë të procesit të ligjshëm elektoral. Sipas fjalëve të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s është ende herët të flitet anëtarësimin e Kosovës në Aleancë. “Disa anëtarë të NATO-s nuk e kanë njohur akoma Kosovën si shtet të pavarur. Po e tillë paraqitet situata edhe në lidhje me anëtarësimin e saj në BE. Duke vëzhguar gjithë procesin është e parakohshme të mendohet për ndonjëfarë grafiku”, - tha Anders Fogh Rasmussen. Si shprehu gjithashtu kënaqësinë e vet në lidhje me nivelin e besimit që gëzon Aleanca midis komuniteteve të ndryshme të Kosovës. “NATO mbetet garante kryesore e paqes”, - tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe vuri në dukje se vazhdimi i reduktimit të pranisë ushtarake të Aleancës në Kosovë nuk do të ndikojë në asnjë mënyrë në garantimin e sigurisë së popullsisë civile dhe stabilitetin në vetë Kosovë. Rasmussen konfirmoi besnikërinë e NATO-s ndaj çështjes së forcimit të potencialit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, duke theksuar se pjesëmarrësit e tyre nuk janë ushtarakë. Duke komentuar raportin e Dick Marty-t mbi krimet e kryera në Kosovë Rasmussen deklaroi, se raportuesi kryesor i Këshillit të Europës Dick Marty duhet tu paraqesë dëshmi faktike organeve përkatëse në mbështetje të akuzave e konfirmimeve të veta.