Shkarko audiofailin


Presidenti i Afganistanit Hamid Karzai sot fillon vizitën e vet zyrtare dyditore në Rusi. Midis temave kryesore që pritet të diskutohen gjatë saj janë: perspektivat e stabilizimit të gjendjes në Afganistan , bashkëpunimi ekonomik dhe furnizimi i teknikës ushtarake ruse për ushtrinë afgane. Për datën 21 janar është planifikuar takimi i Karzait me Presidentin e Rusisë Dimitri Medvediev. Kjo vizitë mund të vlerësohet në kontekstin e përgjithshëm të kthimit të Rusisë në Afganistan. Pavarësisht nga fakti se lidhjet e ndërsjellta të dy vendeve, në tërësi, kanë qenë tradicionalisht miqësore, këto vitet e fundit, gjatë periudhës së konfliktit afgan, u krijua një vakum i caktuar i pranisë ruse atje. Tani situata ka tendenca për ndryshim. Në Kabul u hap sërish ambasada ruse. Firmat e Rusisë po merren me rimëkëmbjen e sistemit energjetik të vendit. Në vjeshtë u vu në shfrytëzim agregati i rinovuar i hidrocentralit “NAGLU”. Pritet që tani pala afgane të propozojë edhe rikonstruktimin e objekteve të tjera të mëdha infrastrukturore. Një tjetër temë jo më pak e rëndësishme e negociatave të Karzait në Moskë do të jetë edhe ajo e lëndës djegëse. Këtë dimër në vend u ndje deficiti i nënprodukteve të naftës për shkak të problemeve që lindën me realizimin e furnizimeve të tyre nga Irani. Kabuli tashmë i bëri thirrje Moskës për të vendosur furnizimin e rregullt të lëndës djegëse në Afganistan, kurse në perspektivë për dhënien e ndihmës në ndërtimin e uzinave vendase të përpunimit të naftës. Në të njëjtën kohë situata ushtarake në Afganistan, si dhe më parë, vazhdon të mbetet mjaft e ndërlikuar. Por Rusia nuk ka ndërmend të dërgojë trupat e veta atje, vë në dukje eksperti rus Vladimir Sotnikov. “- Rusia është e gatshme ti japë ndihmë Afganistanit për krijimin e trupave të armatosura kombëtare afgane duke dërguar këshilltarët e vet për këtë qëllim në vend, ta furnizojë me pajisje ushtarake atë, me ngarkesa humanitare që tashmë po realizohen intensivisht. Rusia do ta ndihmojë Afganistanin gjithashtu për zëvendësimin e pajisjeve ushtarake, por me rrugë ushtarake nuk do të ndërhyjë në problemin afgan”, - konkludoi Vladimir Sotnikov. Këto muajt e fundit Moska ka diskutuar temën e furnizimit të helikopterëve Mi-17 për ushtrinë afgane. Nuk përjashtohet edhe mundësia e asaj, që gjatë kohës së vizitës së Hamid Karzait çështja e helikopterëve të zgjidhet përfundimisht. Do ti shtojmë kësaj që thamë më sipër, se nëpërmjet territorit rus realizohet tranziti i ngarkesave për forcat e koalicionit, kështu që  Afganistani mbetet hallkë lidhëse në dialogun e Moskës dhe NATO-s. Në verë të vitit të kaluar në Moskë u zhvillua forumi kushtuar problemit të prodhimit të drogës afgane. Duke marrë fjalën në të Presidenti rus Dimitri Medvediev theksoi, se opiatet afgane përbëjnë rrezik kërcënues jo vetëm për Rusinë, por edhe për Europën e Amerikën e Veriut. Prandaj lufta kundër trafikimit të drogës është një nga drejtimet më të rëndësishme të bashkëpunimit të Moskës dhe Kabulit.