Versionet e opozitës polake mbi aktin e planifikuar terrorist apo atentatin, si rezultat i të cilit gjetën vdekjen në katastrofën ajrore nën Smolensk Presidenti i Polonisë Lech Kaczynski dhe 95 persona të tjerë, janë krejtësisht të pabaza. Për këtë deklaroi të mërkurën në mbledhjen e Sejmit të Polonisë Kryeministri Donald Tusk. Faktikisht fjala e Donald Tusk u bë përgjigje e denjë ndaj deklaratave të drejtuesve të komisionit shtetëror polak për hetimin e shkaqeve të katastrofës ajrore. Një pjesë të përgjegjësisë për këtë aksident ata u përpoqën t’ia hedhin dispeçerëve rusë të aerodromit të Smolenskut. Sipas versionit të anëtarëve të komisionit, dispeçerët nuk e informuan ekuipazhin e aeroplanit presidencial polak Tu-154 për kushtet e këqija meteorologjike dhe aerodromët rezervë, se ata kanë vepruar “nën presion”. Por të gjitha këto trillime i hodhi poshtë publikimi në site e Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit i transkriptimit të të gjitha bisedave e komunikimeve të zhvilluara midis dispeçerëve rusë dhe ekuipazhit të aeroplanit të Presidentit polak Lech Kaczynski deri në momentin e rrëzimit të tij. Vetë fakti i publikimit të këtij dokumenti është i paprecedentshëm: dispeçerët e paralajmëruan mëse një herë ekuipazhin e aeroplanit presidencial polak Tu-154 mbi atë, se kushtet e motit janë krejtësisht të disfavorshme për realizimin e uljes dhe i thanë atij të largohet për të bërë një rreth të dytë. Por, me sa duket nga të gjitha, deklaratat e Kryeministrit polak iu adresuan përfaqësuesve të opozitës, të cilët e shfrytëzojnë tragjedinë nën Smolensk për qëllimet e veta politike. Në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare katastrofa ajrore nën Smolensk u bë pjesë e pandarë e fushatës së tyre paraelektorale. Tusk vuri në dukje, se ata që paraqesin versionet e katastrofës “së planifikuar” shtrojnë si qëllim përpara vetes jo zbardhjen e shkakut të vërtetë të tragjedisë, por “piketimin e armikut në arenën ndërkombëtare”. Kryeministri polak e quan një veprim të tillë krejtësisht të palejueshëm. Argumentet që parashtrohen nga këta politikanë bazohen jo në informacionin objektiv, por në retorikën antiruse. Për këtë deklaroi në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Kryeredaktori i botimit të përjavshëm të autoritetshëm polak “Przeglad” Jerzy Domanski: “- Në çdo vend ku pritet të zhvillohen zgjedhje, partia që largohet ose ajo që dëshiron të ruajë apo të fitojë pushtetin, shfrytëzon me koshiencë të plotë të gjitha elementet që mund ti sigurojnë asaj simpatinë e zgjedhësve. Për shembull, Partia “E Drejta dhe Drejtësia” vëren në një interpretim të tillë të karastrofës nën Smolensk shansin e vet për të kultivuar në radhët e elektoratit prirjet antiruse, që injorojnë faktet dhe të vërtetën. Pavarësisht nga fakti se ç’përfaqëson aktualisht në vetvete Rusia, ç’rend ekziston në të tani, ç’synime ndjek ajo dhe ç’marrëdhënie ka me Poloninë. Një lloj i tillë agresiviteti ndeshet vërtet shpesh herë në botë, por një dëshirë e tillë për të gënjyer, për ta paraqitur të bardhën të zezë - ndeshet shumë më rrallë. Tek ne ka mjaft ekspertë, të cilët i vërejnë shkaqet e tragjedisë në veprimet e palës polake, por shpesh herë zërat e tyre nuk dëgjohen. Ata i mbysin personat që bërtasin më fort”, - tha Jerzy Domanski. E megjithatë publikimi i transkriptimit të bisedave dhe komunikimit të dispeçerëve me ekuipazhin e aeroplanit dëshmoi qartë se shkaqet e tragjedisë nuk konsistojnë në veprimet e dispeçerëve rusë. Edhe në Poloni po tingëllojnë gjithnjë e më qartë zërat në mbështetje të raportit të Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit. Gazetarët bëjnë thirrje për tu pajtuar me të vërtetën e pamohueshme mbi atë, se përgjegjësia për tragjedinë bie mbi vetë Poloninë. Kurse Këshilltari i Presidentit të Polonisë Bronislaw Komorowski Roman Kuzniar deklaroi, se dispeçerët deri në momentin e fundit u përpoqën ta paralajmërojnë ekuipazhin që ti shmanget uljes, por ai “me konsekuencë, me mendje të kthjellët” vazhdonte të ndërmerrte veprime që çuan, si përfundim, në katastrofën e aeroplanit presidencial polak.