Shkarko audiofailin


Qytetarëve rusë që dëshirojnë të vizitojnë Kilin që këtej e tutje nuk do tu duhet më viza. U anulua regjimi i vizave midis Rusisë dhe Kilit. Qytetarët rusë dhe kilianë mund të hyjnë e të dalin, të kalojnë tranzit dhe të qëndrojnë në territorin e shtetit tjetër pa viza deri në 90 ditë. Më parë këtë rrugë ndoqën vendet e Amerikës Latine: Argjentina, Brazili, Kuba, Republika Domenikane, Peruja, Ekuadori, Guatemala, Nikaragua, Kolumbia dhe Venezuela. Procesi në fjalë është plotësisht i natyrshëm, logjik. Eliminimi i barrierave të vizave çon në rritjen e shkëmbimeve në sferën e turizmit, zgjerimin e kontakteve, vendosjen e lidhjeve dhe bashkëpunimit në nivele nga më të ndryshmet. Të gjitha këto, si përfundim, do të pasqyrohen pozitivisht në interesat e të gjitha shteteve. Zgjerimi i hapësirës pa viza vazhdon të mbetet një ndër prioritetet e Rusisë. Progres serioz është arritur nga ajo jo vetëm në vektorin latinoamerikan. Aktualisht dhjetra vende kanë hequr barrierat e vizave ose kanë liberalizuar në mënyrë të qenësishme lëvizjen për qytetarët rusë. Vetkuptohet se është bërë kjo mbi bazë të dyanshme. Në rendin e ditës qendron tani anulimi i regjimit të vizave midis Rusisë dhe Bashkimit Europian. Domosdoshmëria e këtij hapi është e ndërsjelltë. Federata Ruse dhe BE janë jo vetëm fqinje, por dhe partnere serioze ekonomike. Shkëmbimi midis tyre është tejet i gjerë. E megjithatë punët me anulimin e regjimit të vizave midis Rusisë dhe “Europës unike” nuk po shkojnë aspak mbarë e mirë, konstaton Andrei Klimov, Zv/Kryetari i Komitetit të Dumës Shtetërore të Rusisë për çështjet ndërkombëtare: “- Për nga pikëpamja teknike dhe organizative probleme të qenësishme nuk ekzistojnë në rrugën drejt arritjes së këtij qëllimi. Por ka probleme politike megjithatë, meqenëse një sërë vendesh të BE, ndërsa më saktë, një sërë politikanësh si dhe disa veprimtarë të lartë zyrtarë të burrokracisë europiane pengojnë marrjen e vendimeve kardinale në lidhje me këtë çështje. Dihet fort mirë se Rusia i propozon prej kohësh BE mbi bazë reciproke anulimin e kufizimeve të parashikuara nga regjimi i vizave. Por, ç’është për të ardhur keq, një gjë e tillë nuk po ndodh tani për tani. Unë mendoj, se në 1-2 vitet e afërta situata mund të ndryshojë në mënyrë të qenësishme, meqenëse të gjitha siguritë e garancitë e domosdoshme në nivel politik tashmë janë dhënë për këtë”, - tha Andrei Klimov. Mbi njëfarë avancimi të caktuar në rrugën e piketuar tashmë mund të flitet me siguri. Pak kohë më parë Spanja, Franca dhe Italia dolën me iniciativën e liberalizimit të regjimit të vizave për qytetarët rusë. Për ata rusë, të cilët marrin për herë të dytë vizën Shengen, ajo do të veprojë dy vjet me të drejtë hyrjeje shumëherëshe në territoret e këtyre vendeve. Herën e tretë viza do të jepet për 5 vjet. Sigurisht që kjo do të lehtësojë mjaft lëvizjen e qytetarëve midis Federatës Ruse dhe BE, megjithëse dhe nuk zgjidh përfundimisht problemin e kufijve të hapur brenda kontinentit europian.