Shkarko audiofailin


Komisioni Europian dhe Azerbajxhani nënshkruan deklaratën e përbashkët mbi Korridorin Jugor të gazit. Republika kaukaziane u zotua të furnizojë në BE “ vëllim të qenësishëm gazi për një periudhë afatgjatë”. Marrëveshjen e arritur me Presidentin Ilham Alijev Kreu i Komisionit Europian José Manuel Barroso e quajti “hop jashtëzakonisht të rëndësishëm”. Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Energjetikës të Rusisë Sergei Pravosudov preferon të jetë shumë më i përmbajtur në vlerësimet e veta në lidhje me synimet e Baku-së dhe perspektivat e Korridorit Jugor “Nabucco”: “- Në të vërtetë asgjë nuk ka ndryshuar. Azerbajxhani për të satën herë me radhë konfirmoi, se në qoftë se do ta ndërtojnë gazsjellësin “Nabucco”, atëhere ai është i gatshëm ta furnizojë me gaz atë. E çfarë pastaj? Kjo nuk do të thotë asgjë, sepse kurrfarë kontrate komerciale nuk është nënshkruar për këtë. Ja, të themi, “Gazprom-i” tashmë ka nënshkruar një kontratë të tillë me Azerbajxhanin dhe ajo po realizohet në jetë. Ndërsa “Nabucco”, duhet kujtuar në këtë rast, ka mbetur në gjendjen e vet fillestare. Deklarata e Bakusë nuk është gjë tjetër veçse reklamë, PR (Public Relation), edhe një shkas tjetër për të kujtuar mbi veten, thjesht një letër e nënshkruar e radhës. Meqë ra fjala, Azerbajxhani ka marrë mbi vete tashmë shumë detyrime për furnizime gazi. Kurse vëllimi maksimal i gazit që mund të nxjerrë ai në treg përbën 15 miliardë metra kub lënde të kaltërt djegëse në vit. Dua t’ju kujtoj, se kapaciteti i projektuar i gazsjellësit “Nabucco” është 31 miliardë metra kub. Nga kjo rezulton fare qartë se Azerbajxhanit nuk do ti mjaftojë gazi për të gjithë!”, - konkludon Sergei Pravosudov. Po ç’variante të tjera i mbeten Bashkimit Europian me qëllim që të zgjidhë çështjen kyçe - atë të sigurimit me lëndë të parë të projektit të vet kryesor “Nabucco”? Ja ç’mendon në lidhje me këtë Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Energjetikës të Rusisë Sergei Pravosudov: “- Me qëllim që të sigurohet mbushja pa kurrfarë problemesh e tubacionit “Nabucco” me gaz do të ishte mirë të nënshkruhej kontrata me Iranin. Por Irani është vend problematik, që shihet me sy të keq nga të gjithë. Me të nuk dëshiron askush të ketë punë, sepse do të shkaktonte në rast të kundërt pakënaqësi tek amerikanët. Ekziston varianti (më tepër teorik) i arritjes në marrëveshje me Turkmenistanin. Por edhe këtu ka probleme. Duhet ndërtuar për këtë qëllim gazsjellësi nëpër fundin e Detit Kaspik, kurse Irani, Turkmenistani dhe Azerbajxhani nuk po arrijnë dot të merren vesh midis tyre në lidhje me statusin e këtij deti, për zonën e ndarjes së shelfit. Plus kësaj, turkmenët furnizojnë lëndën e vet të kaltërt djegëse në Kinë, Iran dhe Rusi. Këto tre vende, vetkuptohet, që do të jenë kundër gazsjellësit Transkaspik. Ekziston gjithashtu edhe problemi i Turqisë, e cila përpiqet ta shfrytëzojë statusin e vet prej vendi trazitor në projektin “Nabucco” për arritjen e qëllimeve të veta politike, konkretisht për të hyrë në BE. Unë thjesht nuk arrij ta kuptoj dot se si do të arrijë ti shmangë Komisioni Europian gjithë këta “gurë të nënujshëm”. Ndërkohë projekti i gazsjellësit “South Stream (“Rryma Jugore”), i cili vlerësohet si konkurrent i “Nabucco-s”, po realizohet sipas planit. Tani ai është në fazën e nënshkrimit të fizibilitetit dhe përfundimit të kontratave me konsumatorët. Por më kryesorja - burimi i lëndës së parë për mbushjen e tij dihet nga të gjithë! Këto janë burimet më të mëdha në botë të gazit natyror të Rusisë”, - tha Sergei Pravosudov. Gjë të cilën, me sa duket nga të gjitha, e kuptojnë fort mirë në BE. Nga Baku-ja Kreu i Komisionit Europian José Manuel Barroso u nis për në Ashhabad, ku zhvilloi negociata me Presidentin e Turmenistanit Gurbangulli Berdimuhammedov. Rezultati i tyre është, mund të thuhet, pothuajse i tillë si dhe ai i bisedimeve në Azerbajxhan. Dëshira reciproke për bashkëpunim, ndër të tjera edhe në lidhje me projektin problematik të shtrimit të tubacionit nëpër fundin e Detit Kaspik, qëllimet për të nënshkruar Protokollin mbi synimet. Pra, në përgjithësi, vetëm fjalë, fjalë, fjalë...