Disa keqkuptime dhe reagimi tepër emocional, gjaknxehtë i një sërë politikanëve polakë ndaj raportit të Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit mbi shkaqet dhe rrethanat e katastrofës së aeroplanit të Presidentit të Polonisë Lech Kaczynski nën Smolensk nuk duhet të pengojnë procesin e përmirësimit të marrëdhënieve ruso-polake. Për këtë flasin politikanët dhe ekspertët e të dyja vendeve. Është ende shpejt të vihet pika përfundimtare në çështjen në fjalë. Varshava dhe Moska po vazhdojnë në mënyrë të pavarur, gjithsecila më vete, hetimin e katastrofës. Por, duke u nisur nga raporti i Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit, mund të thuhet se përgjegjësia e palës polake për tragjedinë është mëse evidente, theksoi në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” deputeti i Sejmit të Polonisë Tadeusz Ivinsky: “- Duke nxjerrë përfundimet e gjithë këtij subjekti, unë do të thoja, se situata nuk paraqitet në kolorin bardhë e zi. Por përgjegjësia kryesore, padyshim, bie mbi personat përgjegjës për organizimin e keq të fluturimit dhe ekuipazhin e avionit polak që bëri gabime të shuma. Gjithashtu dëshmitë e grumbulluara evidentojnë qartë ushtrimin e presionit nga ana e VIP personave që ndodheshin në bord mbi ekuipazhin”, - tha Tadeusz Ivinsky. Po përse injoroi ekuipazhi sinjalin e alarmit të bordit? Dëgjoni në lidhje me këtë mendimin e Presidentit të kompanisë amerikane Airo Pacific Consulting Douglas Moss: “- Aeroplani ishte i pajisur me sistem paralajmërimi. Me ndihmën e lartësimatësit (altimeter-it) ai informon anëtarët e ekuipazhit mbi mundësinë e kontaktit me tokën. Kurse sinjali i alarmit i bordit do të thotë se pilotëve u duhet urgjentisht të rrisin lartësinë e fluturimit. Por në atë moment pilotët vazhdonin fluturimin në po atë lartësi, duke injoruar gjatë kësaj sinjalin e paralajmërimit. Kjo gjë, duke u shprehur butë në këtë rast, është tejet e çuditshme”, - shprehet Douglas Moss. Dhe në përgjithësi, palët duhet të rreshtin sa më shpejt që të jetë e mundur të gjitha debatet në lidhje me katastrofën ajrore, vuri në dukje në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” eksperti i Institutit për studimet  Humane dhe Politike Vladimir Bruter: “- Në tërësi ne mund të konstatojmë, se shkak i katastrofës ajrore u bë thjesht incidenti tragjik. Dhe kjo nuk duhet të bëhet më mollë sherri në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Polonisë. Vendet duhet të synojnë drejt vendosjes së marrëdhënieve me leverdi reciproke dhe të ndërtojnë një të ardhme të tillë për veten e tyre, e cila ti vijë për zemër të dy popujve - edhe polak, edhe rus, meqenëse të dy shtetet janë shumë të rëndësishëm si për zhvillimin e Europës, ashtu dhe mbarë botës. Prandaj sa më shpejt që të gjendet konsensusi, sa më shpejt që tema e sipërpërmendur të fshihet nga pluhuri i harresës e të zhvendoset nga kategoria politike në atë historikeve, aq më mirë do të jetë edhe për Rusinë, edhe për Poloninë”, - tha Vladimir Bruter. Ndërkohë në Komitetin Ndërshtetëror të Aviacionit deklaruan, se agjencitë kryesore botërore për garantimin e sigurisë në mjetet e transportit vunë në pah objektivitetin e raportit përfundimtar të hetimit të katastrofës ajrore.