Polonia iu drejtua Rusisë me kërkesën për përpunimin e qëndrimit të përbashkët në lidhje me katastrofën e aeroplanit të Presidentit të Republikës Lech Kaczynski nën Smolensk. Me një deklaratë të tillë doli Kryeministri polak Donald Tusk. Gjatë kësaj ai pranoi, se përgjegjësia më e madhe për tragjedinë që ndodhi bie mbi palën polake. Kryeministri polak pohoi se konkluzionet kyçe të Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit në lidhje me përgjegjësinë e palës polake për tragjedinë nën Smolensk, të cilat u bënë publike dje në Moskë, nuk shkaktojnë kurrfarë dyshimi. Por raportin përfundimtar ai e quajti megjithatë jo të plotë: në të nuk gjetën pasqyrim një sërë vërejtjesh të palës polake që kishin të bënin me gjendjen e aerodromit në Smolensk dhe punën e dispeçerëve. Sipas mendimit të Donald Tusk, Konventa e Çikagos mbi rregullat e fluturimit parashikon mundësinë e zhvillimit të negociatave me qëllim të përpunimit të qëndrimit të përbashkët. Pikërisht me një kërkesë të tillë ka ndërmend ti drejtohet Polonia Rusisë. Donald Tusk vuri në dukje se është përpjekur gjithmonë ti analizojë, ti shohë me objektivitet shkaqet e katastrofës. Ekzagjerimet shumë shpesh bëhen shkak i të këqija të mëdha në politikë. Sigurisht, mund të duket në sfondin e deklaratave të ashpra që tingëllonë aktualisht, sikur pozita e qeverisë është si tepër e butë dhe e peshuar. Por unë në kurrfarë rrethanash nuk do të bëhem ithtar i radikalizmit, meqenëse e quaj këtë gjë jo vetëm të panevojshme, por dhe të dëmshme për Poloninë. Si në ditën e katastrofës ajrore, ashtu më pas, kur ne zhvilluam punën për zbardhjen e shkaqeve të saj, unë jam përpjekur të mos lejoj që ngjarjet tragjike nën Smolensk të bëhen kthesë dramatike në marrëdhëniet ruso-polake. Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov u solidarizua me pozitën e Kryeministrit polak. Lavrov theksoi në mënyrë të veçantë, se në Rusi e përjetojnë dhimbshëm tragjedinë së bashku me qytetarët polakë dhe udhëheqjen e vendit dhe përpiqen të mbajnë një qëndrim tejet të kujdesshëm e të vemendshëm ndaj ngjarjes tragjike. Ministri është mëse i bindur: se Moska dhe Varshava nuk do të lejojnë keqësimin e marrëdhënieve dypalëshe, se “riformatimi” i tyre nuk do të ndalojë. Nga ana e palës polake, që para bërjes publike të raportit të Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit, u shprehën pretendime ndaj dispeçerëve të aerodromit “Smolensk-Severnij”. Në to konfirmohej, se ata duhej ta ndalonin me çdo kusht uljen e aeroplanit. Ministri rus i transportit Igor Levitin mendon se këto pretendime janë krejtësisht të pabaza, të paargumentuara. Mbi bazë të rregullave vepruese komandanti i aeroplanit special ndërkombëtar merr mbi vete gjithë përgjegjësinë për fluturimet dhe uljet, ndër të tjera edhe në kushte të vështira meteorologjike. Dispeçeri nuk kishte të drejtë ti ndalonte atij uljen, por vetëm ta paralajmëronte në lidhje me kushtet aspak të përshtatshme të motit për këtë gjë. Vendimi i Moskës mbi mundësinë e vazhdimit të punës së mëtejshme mbi raportin e Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit, gjë për të cilën ngul këmbë Varshava, zhvendoset në rrafshin politik. Por konkluzionet kryesore të Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit do të mbeten të pandryshuara: në tragjidinë e aeroplanit presidencial polak çuan veprimet e gabuara të ekuipazhit, të shkaktuara nga ushtrimi i presionit mbi të nga ana e pasagjerëve të lartë zyrtarë.