Rendi i ri botëror policentrik që po krijohet në planet do të jetë më demokratik, më i qëndrueshëm dhe i tillë që ti përgjigjet realiteteve bashkëkohore. Një mendim të tillë e shprehu Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov në konferencën për shtyp  kushtuar nxjerrjes së përfundimeve të punës së dikasterit të tij për vitin 2010. Ngrohja dhe shëndoshja e marrëdhënieve ndërkombëtare në tërësi në shumë gjëra varet nga dy lojtaret kryesore botërore - Rusia dhe SHBA. Rezultatet, siç u shpreh Lavrov, janë mëse evidente për të gjithë. Ndër to mund të përmenden nënshkrimi dhe procesi në përfundim e sipër i ratifikimit të Traktatit mbi shkurtimin e Armatimeve Strategjike Ofensive (ASO) dhe hyrja në fuqi e Traktatit mbi bashkëpunimin në sferën e shfrytëzimit të energjisë atomike për qëllime paqësore. Liderët e NATO-s dhe Rusisë kanë këndvështrime diverse përkatësisht konstruktit të sistemit të mbrojtjes antiraket. Por edhe këtë çështje të vështirë palët shprehen të gatshme ta diskutojnë, theksoi Lavrov: “- Në Lisbonë palët arritën në marrëveshje për analizimin e mundësive të krijimit të sistemit të përbashkët europian të mbrojtjes antiraket. Presidenti Dimitri Medvediev parashtroi vizionin rus përkatësisht një projekti të tillë të ndërtuar mbi bazë barazie të plotë dhe përshtatshmërie të potencialeve disponuese pa krijuar kurrfarë problemesh për njëri-tjetrin. Kjo punë po fillon dhe ne shpresojmë shumë se ajo do të zhvillohet në mënyrë të ndershme dhe të sinqertë”, - tha Sergei Lavrov. Kreu i dikasterit rus të politikës së jashtme vuri në dukje, se Rusia tani për tani nuk mund ta quajë NATO-n partnere strategjike. Por në samitin e vitit që lamë pas kryetarët e shteteve për herë të parë shtruan si qëllim përpara vetes arritjen e një partneritet të tillë. Në qoftë se për bashkëpunimin e Rusisë dhe NATO-s test do të bëhet sistemi europian i mbrojtjes antiraket, atëhere verifikim i karakterit strategjik të marrëdhënieve të Rusisë dhe BE do të bëhet anulimi i regjimit të vizave, mendon Lavrov. “- Duke folur mbi marrëdhëniet me BE nuk mund të lihet jashtë vemendjes edhe liria e lëvizjes. Kjo detyrë ka gjetur pasqyrim në shumë dokumente të OSBE-së. Por tani për tani ajo nuk po zgjidhet deri në fund. Ekziston një avancim i qenësishëm në liberalizimin e regjimit të vizave. Për partnerët strategjikë, siç janë midis tyre Rusia dhe BE, është principialisht e rëndësishme heqja dorë në përgjithësi nga veprimi i regjimit të vizave. Mendoj se ndaj këtij problemi partnerët do të mbajnë një qendrim të depolitizuar, duke u nisur nga realiteti objektiv. Ne shpresojmë ti zgjidhim këto probleme gjatë vitit në vazhdim”, - tha Sergei Lavrov. Disa qindra mijëra bashkatdhetarë tanë në Estoni dhe Letoni i preokupojnë tej mase jo çështjet që kanë të bëjnë me vizat, por problemi i shtetësisë, ndërsa në fakt e ardhmja e vet. Ata persona, të cilët në kohërat e ekzistencës së Bashkimit Sovjetik u vendosën me banim në Letoni dhe Estoni nga republikat e tjera, që nga viti 1991 (pas shpërbërjes së Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike) nuk kanë marrë deri tani shtetësinë e asnjë prej shteteve të sipërpërmendur. Vetë nocionin “joqytetarë” Sergei Lavrov e quajti krejtësisht të papranueshëm për BE. Në rendin e ditës në vitin 2010 u shtrua për zgjidhje edhe çështja që ka të bëjë me demarkacionin e kufirit në Detin Barenc. Dhe ajo vazhdonte të mbetej e pazgjidhur që prej mëse 40 vjetësh. Ndarjen e shelfit midis Norvegjisë dhe Rusisë Sergei Lavrov e quajti “shembull të fortë” të asaj, se bile edhe problemet më të ndërlikuara mund të zgjidhen me mirëkuptim dhe leverdi reciproke. Konfliktet territoriale janë ndër problemet më të mprehta për shumë vende. Janë mjaft aktuale debatet që kanë plasur këto kohët e fundit në lidhje me përkatësinë e tokave më veriore, më saktë - akujt dhe ujërat. Kreu i MPJ të Rusisë është mëse i bindur se me anë të përdorimit të forcës këto probleme nuk mund të zgjidhen kurrsesi.